Detaje të reja janë zbardhur për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën një natë më parë 26 vjeçari Dritan Manjani. Banorët e fshatit Homesh kanë treguar detaje të reja në lidhje me vrasjen e mbrëmshme.

Sipas banorëve konflikti mes të rinjve ka nisur në një lokal e më pas autori i dyshuar Dorjan Dema i ka shkuar viktimës tek banesa dhe pasi ai ka dalë e ka goditur me mjet prerës që dyshohet të jetë thikë e jo kaçavidë siç u raportua nga policia.

Dëshmitë

Një dëshmitar i ngjarjes tregon se konflikti nisi në një lokal, ku autori ishte në tavolinë me 4 persona të tjerë, ndërsa viktima ishte ulur në tavolinë tjetër. Ai thotë se mes tyre ka pasur sherre ndërsa autorët erdhën e kërkuan natën duke e ngritur nga buka dhe e vranë me thikë, jo me kaçavidë.

“Ishin duke ngrënë e duke pirë 5 veta, ne pimë një kafe në tavolinë tjetër me të ndjerin. Ika, i lashë duke pirë, meze e birra ishin bashkë 5 veta, përfshirë dhe këtë që ka vrarë viktimën, Dorian Dema. Ne ishim në atë lokal në tavolinë tjetër, viktima qëndroi veçmas. Aty ka nis konflikti, siç kam dëgjuar se unë ika, nuk di më tepër.

Kanë pasur sherre, në lokal ka nisur konflikti. Pastaj kanë ardhur duke e kërkuar natën, ai ishte duke ngrënë bukë dhe e kanë vrarë me thikë. I kanë rënë borisë dhe aty e ka therur jo me kaçavidë siç thanë, por me thikë”, tha një fqinj i viktimës.

Një banor i zonës thotë se viktima ka qenë djalë i qetë dhe nuk krijonte konflikte. Ai tregon se autori erdhi bashkë me persona të tjerë me dy makina gjatë orës 22:00 dhe e thirrën viktimën për ta vrarë. Kur u plagos, mësohet se ai i kishte thënën nënës së tij që do bëhej më mirë, por fatkeqësisht nuk i mbijetoi dot plagëve.

“Ai ka qenë djalë më i mirë që nuk e bën nënës, ka qenë flori. Edhe ti bije ai nuk kthente dorë. Ka punuar në Greqi fukarai. Ishte i pamartuar. Nuk kanë pasur konflikt. Kanë qenë duke pirë, e ka parë një djalë i imi duke pirë pastaj ndodhi kjo ngjarja. Kanë ardhur dy makina këtu, e kanë thirr këtë djalin dhe ky ka dalë jashtë, kur atëherë ka ndodhur vrasja këtu të shtëpia. Kanë ardhur që atje me makina natën. Nëna e vet ka thënë se ishte duke ngrënë bukë dhe ka thënë dil se mos ke zënë rrugën me makinë. Pastaj e ka parë djalin, e kanë goditur, por se ka parë njeri. Mos u bëj merak se do përmirësohem i ka thënë nënës”, tregon banori.

Vrasja

Dritan Manjani ndodhej i vetëm në një tavolinë tjetër duke konsumuar kafe dhe mësohet se aty brenda ka patur një zënkë mes të rinjve. Vetëm pak minuta më vonë, pranë banesës së viktimës kanë shkuar dy makina dhe i kanë rënë borive.

Në këtë moment ka dalë nga shtëpia 26 vjeçari Dritan Manjani i cili po konsumonte darkë me familjen. Dyshohet se ai është goditur menjëherë nga autori Dorjan Dema.

Familjarët dhe të afërmit e viktimës e kanë transportuar me urgjencë për në spital, por fatkeqësisht Manjani nuk ka arritur t’ju mbijetojë plagëve të marra.