Ragip Xhaka, babai i futbollistit shqiptar, Granit Xhaka ka reaguar pas komenteve të analistes Zana Avdiu mbi gjestin e bërë nga djali i tij gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër.
Ai tha se analistes duhet t’i vinte turp që e quante Xhakën rrugaç dhe shtoi se nuk e dinte se çfarë ishte sporti dhe krenaria.
“Nuk jam njeri i televizioneve e i kamerave. Jam njeri i sakrificës, i punës dhe burgjeve. Desha asaj zonjës, Zanës, t’ia përkujtoj. Një: t’i tregoj se kush jam. Ajo kur mirret me një fjalë rrugaç, t’i vijë turp, ajo nuk e di çfarë është sporti, çfarë është krenaria. I kundërvihet një djali që është gjak shqiptari, që na bën të gjithë shqiptarëve krenarë. I thotë Granitit rrugaç.
Po më vjen keq që një femër me shkrujt ate fjalë. Më së pari të ma tregojë fjalën rrugaç. Ndoshta prej efektit mundesh me ndodh. Asnjë fjalë nuk e dëgjova për thirrjet e Serbisë.
Familja Xhaka nuk është dorëzu asnjëherë ndaj pushtuesve. Graniti nuk e ka bo gjestin politik, as shovinist, as asgjë. Atë gjest nuk e ka bo as me fye kërkënd, as me sha kërkënd. Është turp i saj t’i mbrojë ato teza të Serbisë. Xhaka i tregoi botës që këta (e ka fjalën për Serbinë) na kanë dhunuar nënat tona, vajzat tona”, tha Ragip Xhaka për mediat e Kosovës.
Gjesti i Granit Xhakës ku tregon organet gjenitale lojtarëve serbë si kundërpërgjigjie ndaj festimit të Vlahoviç, u bë viral dhe tepër i komentuar si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Analistja tha se një gjest i tillë, kurrsesi nuk duhet të ishte bërë nga Xhaka pavarësisht provokimeve të serbëve.