Bashkëshortja e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë një mesazh tejet prekës për luftën, që po zhvillohet nga agresori rus prej 12 ditësh në vendin e saj. Olena Zelensky iu është lutur mediave që “të tregojnë të vërtetën e tmerrshme se trupat e Putinit po vrasin fëmijë me vetëdije dhe cinizëm”.
Zonja e Parë e Ukrainës e nis mesazhin e saj me pyetjen therëse se “Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin për të bindur trupat ruse të ndalojnë qëllimin”?
Ajo i ka kërkuar NATO-s të zbatojë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë “për të shpëtuar fëmijët tanë, sepse nesër do të shpëtoni edhe tuajt”.
“Më duhet t’iu tregoj se të paktën 38 fëmijë kanë vdekur tashmë në Ukrainë. Dhe kjo shifër mund të rritet pikërisht në këtë moment, për shkak të granatimeve në qytetet tona paqësore”, është shprehur Olena Zelensky, ndërsa ka publikuar disa foto tronditëse të fëmijëve të vrarë, duke shkruar se “Kur njerëzit në Rusi thonë se trupat e tyre nuk po dëmtojnë popullin ukrainas, tregojuni atyre këto fotografi”.