Inceneratori, vetëm pak ditë punë
Në dhjetor 2023, kompania Eco-Elb deklaroi në një përgjigje me shkrim për këshilltarët bashkiakë të opozitës se impianti kishte punuar me ditë dhe nuk kishte prodhuar energji elektrike gjatë vitit 2023.
“Impianti gjatë vitit 2022 ka punuar rreth 24 ditë, ndërsa për vitin 2023 ndezja e impiantit u realizua në muajin prill dhe vazhdon funksionimi i tij. Gjatë kësaj kohe, (prill-shtator 2023) janë shfaqur defekte, të cilat kanë çuar deri në fikje të detyruar të impiantit,” thuhet në përgjigjen e administratorit Leli Kaja.
“Në Elbasan hoqëm pirgun e plehrave dhe i dhamë Elbasanit mundësinë që mbetjet t’i mbledhë dhe përpunojë në një impiant ultra modern”-tha Rama dy vite më parë, pikërisht në kulmin e skandalit të aferës shekullore të inceneratorëve.
E vërteta është krejt ndryshe dhe Kaja, pas disa kërkesave të vazhdueshme të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Elbasanit, u detyrua të paraqiste një raport mbi “funksionimin e Inceneratorit”, duke pranuar se ka punuar në kohë të shkurtër.
“….Në këto rrethana, sasia e mbetjeve që nuk trajtohet depozitohet në landfill. Kapaciteti i landfillit është tejkaluar, pa llogaritur këtu sasinë e mbetjeve ekzistuese në landfill, para nënshkrimit të kontratës së qirasë, midis shoqërisë sonë me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK),” thuhet në përgjigje.
Përveç tejmbushjes së landfillit me mbetje urbanë që nuk incenerohen, paradoksalisht qytetarët e Elbasanit paguajnë 2500 lekë të reja për ton mbetje për t’u përpunuar dhe “ineceneruar”.
Duke filluar nga Dhjetori 2021, të gjithë bashkitë e qarkut Elbasan kanë nisur të paguajnë tarifën për depozitimin dhe “incenerimin” e mbetjeve urbane për llogari të kompanisë “Eco-Elb”, e administruar nga Leli Kaja.
Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se, deri në Tetor të këtij viti, 7 bashkitë kanë paguar një total prej rreth 350 milionë lekë të reja (3.5 miliardë lekë të vjetra), për një shërbim gjysmak./boldnews