Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se situata në Gaza ka arritur një nivel të ri të rrezikshëm.
“Sulmet e tmerrshme terroriste të Hamasit ndaj Izraelit që vranë më shumë se 1 mijë 200 njerëz dhe plagosën mijëra të u pasuan nga bombardimet intensive të Gazës që tashmë kanë vrarë 1 mijë 800 njerëz dhe kanë plagosur mijëra të tjerë”, është shprehur ai.
Guterres bëri thirrje për “qasje të menjëhershme humanitare në të gjithë Gazën.
“Edhe luftërat kanë rregulla. E drejta ndërkombëtare humanitare dhe ligji për të drejtat e njeriut duhet të respektohen”, është shprehur ai.
Ndërkohë, Izraeli tha sot se këmbësoria dhe tanket e tij kishin kryer bastisje brenda Rripit të Gazës. Më herët Forcat izraelite të Mbrojtjes kërkuan evakuimin e mbi një milion palestinezëve nga qyteti i Gazës drejt jugut të enklavës.
Palestinezët kanë filluar të braktisnin shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar sulmit izraelit.
Mijëra vetë u panë të premten në rrugët e enklavës, por është e pamundur të përcaktohet numri i tyre. Shumë të tjerë thanë se nuk do të largohen.
Hamasi, i cili kontrollon territorin, u zotua të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut.
“Vdekja është më mirë se largimi,” thotë 20-vjeçari Mohammad, teksa qëndron në rrugë jashtë një ndërtese të rrënuar nga një sulm ajror izraelit. “Këtu kam lindur dhe këtu do të vdes, largimi është një stigmë”.
Xhamitë po transmetojnë pa pushim mesazhin: “Mbahuni pas shtëpive tuaja. Mbani tokën tuaj”.
“U themi njerëzve të Gazës Veriore dhe qytetit të Gazës, qëndroni në shtëpitë dhe vendet tuaja”, tha Eyad Al-Bozom, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Hamasit, në një konferencë shtypi.
“Duke kryer masakra kundër civilëve, okupimi dëshiron të na shpërngulë edhe një herë nga toka jonë”.
OKB-ja tha se thirrja e Izraelit për largimin e civilëve nga Gaza ishte e pamundur të realizohej “pa pasoja shkatërruese humanitare”.
“Laku rreth popullatës civile në Gaza po shtrëngohet. Si supozohet të shpërngulen 1.1 milion njerëz nëpër një zonë lufte me popullsi të dendur në më pak se 24 orë?” shkroi në rrjet sociale shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha gjithashtu se lëvizja e njerëzve është e pamundur.