Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako nuk dha detaje në lidhje me dëshminë që dha në prokurorinë e posaçme të premten, duke kyçur gojën me argumentimin e sekretit hetimor.
Megjithatë, ajo përjashtoi të ishte thirrur nga prokurorët e posaçëm për të dhënë shpjegime në lidhje me inceneratorët.
Si kryetare e Bashkisë së Durrësit prej prillit të vitit 2020, me firmën e saj janë dhënë disa tendera që po hetohen e vlerësohen nga SPAK dhe që në regjistrin e Open Data Albania kategorizohen me flamuj të kuq.
Bëhet fjalë për tendera mallrash, shërbimesh e deri te projekte infrastrukturore.
Një i tillë është tenderi me objekt blerje mjetesh për nevojat e Ujësjellës Kanalizimeve të Durrësit. Tenderi me numër reference REF-46887-12-27-2019 njoftuar në datën 30 dhjetor 2019 dhe shpallur fituesi më 22 janar 2020 sipas Voxnews. Tenderi në fjalë është shenjuar me flamur të kuq nga ana e Open Data Albania. Arsyeja është mungesa e konkurrencës. Në të mori pjesë vetëm një ofertë, ajo e Mektrin Motors, të Edmond Shahinit, vëllai i bashkëshortit të Emiriana Sakos, Landi Shahini dhe kunati i kryebashkiakes.
Fondi limit i tenderit është 19 milionë e 840 mijë lekë. Mektrin Motors e kunatit të Emiriana Sakos e fitoi tenderit me ofertë 19 milionë e 600 mijë lekë. Ose mbi 99 për qind të vlerës së fondit limit.
Emiriana Sako, në atë kohë mbante postin e drejtores së shërbimeve dhe të nënkryetares së Bashkisë së Durrësit, deri kur u emërua në prill më pas edhe kryetare në detyrë e kësaj bashkie.
Tenderi është mbajtur para reformës së ujësjellës-kanalizimeve, që do të thotë se në atë kohë ujësjellësi i Durrësit ishte një shoqëri në varësi të plotë nga Bashkia, ku drejtoria e shërbimeve dhe posti që mbante Emiriana Sako kanë pasur rol të qenësishëm në vlerësimin e ofertave.