Nga Genc Sejko
Egli Proga ishte një qytetar si të gjithë ne. Ai siguronte bukën për familjen e vet në një lokal modest në Pogradec. Si të gjithë ne, ai përballej çdo ditë me vështirësitë e jetës dhe punës në këtë vend.
Por nuk mjaftuan vështirësitë e përditshme, taksa, tatime, stafi, faturat për t’u paguar. Sepse Eglit (si shumë të tjerë këtu) i duhej të paguante dhe gjobën e të fortit. Taksën e të qenurit skllav në një shtet pa shtet. Në një vend ku i forti i lagjes, i qytetit apo i Shqipërisë gjen të drejtën të fusë dorën në xhepin e çdokujt që ka një biznes apo punon ndershëm.
Dhe kur guxon të kundërshtosh të fortin e lagjes apo të qytetit, ata të kërcënojnë. Pastaj të rrahin. Pastaj të rrahin për vdekje, por kjo nuk i mjafton të fortit të lagjes dhe qytetit. Sepse i forti të lë të vdesësh si qen në mes të rrugës. Dhe pastaj thërret në ndihmë të fortin e policisë për të fshehur krimin. Dhe më tej akoma të fortin e qeverisë për të zhdukur provat dhe çdo gjurmë.
Policia dhe shteti e vranë Eglin. Të fortët e lagjes, të qytetit, të policisë dhe të qeverisë lanë jetimë fëmijët e Eglit. Qytetarit të thjeshtë që nuk donte të ishte as i fortë dhe as me pushtet. Donte thjesht të jetonte i qetë me familjen e tij. Në xhunglën ku ligjin e bëjnë të fortë. Dhe ku nuk ka vend për njerëz normalë dhe qytetarë të ndershëm.