Tre vjeçari B.Spahiu humbi jetën dy ditë më parë në reanimacionin e QSUT-së pasi mjekët nuk mundën të bënin asgjë për shëndetin e tij pas komplikacioneve të shumta që kishte patur gjatë 24 orëve të mëparshme.
Familja Spahiu dërgoi birin e saj dje për në banesën e fundit, ndërsa siç mëson Gazeta Jonë, çështja është referuar në prokurori.
Trajtimi i dhëmbëve
Tre vjeçari ishte trajtuar për dhëmbët përmes anestezisë së përgjithshme vetëm pak orë para se të kishte komplikacione të rënda, insufiçencë hepatike.
Familjarët bëjnë me dije se B. e kishin çuar për të mbushur dhëmbët te Spitali i Zemrës të mjekut Roland Xhaxho, i cili ka si pjesë të tij edhe Klinikën Dentare të drejtuar nga Ina Xhaxho.
Gazeta mëson se B. është mbajtur për 6 orë në anestezi të përgjithshme ndërkohë që trajtohej për dhëmbët. I pranishëm në sallë si anestezist ka qenë edhe mjeku Roland Xhaxho.
Komplikacionet dhe humbja e jetës
Siç kanë deklaruar familjarët në polici, B. është dërguar në shtëpi pas trajtimit por pak orë më pas nëna ka vërejtur komplikacione të rënda dhe e kanë dërguar menjëherë në urgjencën e QSUT dhe nga atje, në reanimacion ku humbi jetën disa orë më pas.
Sipas mjekëve B. pati komplikacione të rënda të tipit insuficencë hepatike, megjithatë çështja është ende nën hetim pasi tani po merret prokuroria pas padisë së familjes ndaj Klinikës së Ina Xhaxhos, pjesë e Spitalit të Zemrës.
Gazeta Jonë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Spahiu për humbjen e tyre! /Gazeta Jonë