Thirrjes së Policisë për të ndaluar nuk iu bind, e për pasojë u përfshi në një aksident që i mori jetën dy personave, mes tyre një nëne të re.

Kështu ndodhi një ditë më parë larg qendrës së Pesaros në Itali, ku mjeti tip ‘BMW’ me dy persona, tentoi t’i largohej patrullës policore, e më pas goditi një mjet tjetër, duke lënë pas 2 të vdekur dhe 3 të plagosur.

Kjo është dinamika e aksidentit të ndodhur pasditen e djeshme pak kilometra larg qendrës së Pesaros, në rrugën Montelabbatese.

Mjeti tip ‘BMW’ e zezë e drejtuar nga 27-vjeçari Sulltan Ramadani, me origjinë shqiptare, me banim në Sant’Angelo në Vado, i shoqëruar nga shoku i tij shqiptar Elvis Cola nga Montecalvo në Foglia, të dy të njohur për drejtësinë, u përplas me një Fiat 500 X me tre të rinj nga Vallefoglia. Përplasja hodhi makinën e djemve në kanal, në një distancë prej të paktën 10/15 metra.

Pasagjerja, Martina Mazza, 31 vjeç, nënë e një djali 5-vjeçar, ndërroi jetë menjëherë. Motra Alessia që drejtonte makinën dhe shoku Kevin u plagosën rëndë. Për Martinën nuk kishte asgjë për të bërë. Zjarrfikësit e nxorrën nga makina dhe ia dorëzuan mjekëve por një moment më vonë zemra e vajzës pushoi së rrahuri nën sytë e shpëtimtarëve.

Për shoferin, 27-vjeçarin Ramadani, nuk mund të bënin asgjë. Ai gjeti vdekjen e menjëhershme. E po ashtu u plagos rëndë shoku i tij, i cili humbi ndjenjat dhe gjendja e të cilit dukej i dëshpëruar. Ai u dërgua në Ankona me ambulancë ajrore.

Në përplasje, BMW-ja humbi një gomë dhe udhëtoi rreth njëzet metra me buzë pa u përplasur rastësisht me makinat e tjera që po udhëtonin. Pas ka qenë edhe Policia e cila dy kilometra më parë kishte hequr dorë nga ndjekja për shkak të shpejtësisë së madhe të BMW-së. Ata kishin frikë se mund të përfundonte keq ashtu siç ndodhi.

Patrulla e pa aksidentin si dhe pesë shoferë të tjerë të gatshëm për të dëshmuar. Hetuesit nuk përjashtojnë që shoferi të ketë humbur kontrollin e makinës për shkak të shpejtësisë së çmendur me të cilën e kishte nisur.