Po merr nga ora në orë përmasat e një skandali ndërkombëtar kapja e një anijeje gjigante me naftë nga Libia në Durrës, e cila ishte porositur nga kompania Kastrati Group, fakt i cili po fshihet nga autoritetet shqiptare nën kërcënimin e drejtpërdrejt të qeverisë.

Gjatë paradites së sotme, Gazeta Jonë raportoi ekskluzivisht se anija çisternë me naftë ishte porositur në Libi nga kompania “Kastrati Group”. Gjithçka shkoi sipas planit të Kastratit dhe Autoritetit Portual Durrës deri në momentin kur një ambasadë e fuqishme në vend telefonoi kreun e Portit të Durrësit Pirro Vëngu duke i thënë se me lejimin e anijes “Queen Majeda” në port po shkelte ligjet ndërkombëtare.

Të lidhura – EKSKLUZIVE- Shefqet Kastrati, porositësi i anijes me naftë kontrabandë. Ambasada e huaj e kërcënoi për shkelje të embargos ndaj Libisë: E vërteta e 2 200 tonëve karburant në Durrës

Këtu u këput edhe filli pasi Pirro Vëngu, i tmerruar nga fakti se u zbulua me presh në duar bashkë me Shefqet Kastratin duke bërë kontrabandë nafte  ndërkohë që po thyenin embargo e OKB-së, telefonon kompaninë dhe u thotë “u zbuluam”.

Por, siç mëson Gazeta Jonë, skandali që pritet të fusë në burg emra të njohur në vend, është thelluar edhe më tej.

Burime nga Porti i Durrësit bëjnë me dije ekskluzivisht për Gazeta Jonë se në anijen “Queen Majeda” nuk ishin 2 275 ton naftë siç u shpreh policia, por plotë 8 mijë ton naftë të destinuara për depozitat e Shefqet Kastratit në Porto Romano.

Përllogaritet të bëhet fjalë për një shumë të madhe parash që shkon deri në 16 milion dollar në total dhe nëse do t’ia kishin arritur qëllimit, Kastrati, vetëm përmes kësaj anijeje kontrabandë do t’u kishin vjedhur shqiptarëve 8 milion dollar taksa.

Po ia ngecin dikujt tjetër

Pasi u kapën me “presh në duar” duke bërë kontrabandë nafte dhe duke thyer embargon e OKB-së ndaj naftës së Libisë, burime të Gazeta Jonë bëjnë me dije se Pirro Vëngu dhe Shefqet Kastrati janë duke i bërë presion një kompanie të vogël importuese nga Kavaja që të pranojë se ishin ata që porositën atë sasi të madhe nafte në Libi dhe jo Shefqet Kastrati.

Deri më tani, kompania nga Kavaja nuk i është nënshtruar presionit të autoriteteve të vendit dhe Kastratit, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në orët në vijim për aq kohë sa as policia dhe askush tjetër nuk ka dhënë detaje.

Gazeta Jonë do të vijojë me publikimin e provave të  kësaj afere gjigante që përlyen vendin në thyerjen e embargos së OKB-së nda Libisë përveç faktit që po bënin kontrabandë.

Po fshihen provat

Në një kohë kur askush nuk flet, burime të Gazeta Jonë bëjnë me dije se Porti i Durrësit dhe institucionet e tjera janë vënë në dispozicion të Shefqet Kastratit për të fshehur të gjitha provat që lidhin këtë të fundin me kontrabandën dhe thyerjen e embargos së OKB-së ndaj Libisë.

Gjithçka po ndodh me bekimin e shtetit, ashtu siç edhe ishte planifikuar të bëhej kontrabanda e madhe e naftës nga Libia, ndërkohë që shqiptarët e paguajnë me çmime të kripura. /Gazeta Jonë