Ushtrime matematikore, të thjeshta në dukje, mund të kthehen shpesh në një sfidë të vërtetë në rrjetet sociale. I tillë është rasti i një ushtrimi që u publikua në Tuiter më 28 korrik.

8:2(2+2)=

Shumë përdorues të rrjetit social ishin të bindur se përgjigjja e saktë është 16. Ndërsa të tjerë ngulën këmbë për 1. Madje, edhe përllogaritja me makinë llogaritëse nxori dy rezultate të ndryshme.

Pavarësisht se matematika është një botë e sigurt, ku ekziston vetëm e sakta dhe e gabuara, dhe duhet të mbizotërojë logjika, shumë u vunë në dilemë.

Siç kemi mësuar në shkollë, në një rast të tillë, shkojmë drejt zgjidhjes së ushtrimit nduke ndjekur rregullin e rendit të veprimeve.

Kur, si në rastin konkret, ne na duhet të kryejmë disa disa veprime matematikore – vlera e një shprehjeje në kllapa, shumëzime ose pjesëtime dhe mbledhje ose zbritje – rendi i veprimeve përcakton rezultatin.

Në rastin e këtij ekuacioni, 8 ÷ 2 (2 + 2), të gjithë përdoruesit e Tuiterit ranë dakord që veprimi në kllapa (2 + 2) duhej kryer i pari. Kjo është ajo që na kanë thënë mësuesit e matematikës: Merruni fillimisht me veprimet brenda kllapave. Sigurisht, 2 + 2 = 4.

Pra, ekuacioni reduktohet në 8 ÷ 2×4.

Tani që kemi përpara një pjesëtim dhe një shumëzim, cili prej tyre ka përparësi? Nëse e kryejmë pjesëtimin të parin, marrim 4 × 4 = 16; nëse kryejmë së pari shumëzimin, marrim 8 ÷ 8 = 1.

Cila mënyrë është e saktë? Konventa standarde konsideron që shumëzimi dhe pjesëtimi kanë përparësi të barabartë. Për ta zgjidhur këtë çështje, ne punojmë nga e majta në të djathtë. Pra, kryhet i pari pjesëtimi dhe më pas shumëzimi. Kështu që, përgjigjja e saktë është 16.