Një ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin policia ka bllokuar një motor të ngjashëm me atë të përdorur nga autori.
Burime për mediat bëjnë me dije se motori është bllokuar në Tianë dhe është i ngjashëm me motorin që autori u largua pas ngjarjes.
Targat janë të ndryshme nga motori që autori përdori për tu larguar pas vrasjes, ndërkohë policia po kryen kontrolle për gjurmë gishtash.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në rrugën e plazhit në Shëngjin, në ambientet e biznesit të Ardian Nikulajt, “Coral Shëngjin”.
Vrasja besohet se është kryer nga një person i vetëm. Megjithatë sipas të dhënave të deritanishme, duket se autori e kishte mirëmenduar duke u maskuar me jelek fosforeshent teksa ka lëvizur me një motor të thjeshtë sip “scooter”.
Ai hyri brenda lokalit “Coral” në pronësi të viktimës dhe e qëlloi teksa konsumonte kafe i vetëm në një tavolinë. Pas krimit, autori është larguar përmes rrugës kryesore nga Lezha deri në Balldren dhe më pas ka përdorur rrugë dytësore duke humbur edhe gjurmët e kamerave të sigurisë buzë rrugës.
Autori është kthyer nga Shëngjini në Lezhë dhe më pas duke lëvizur me motor përgjatë superstradës deri në dalje të Balldrenit.