Debate, përplasje dhe lot; kështu mund të përmblidhet seanca që u zhvillua në GJKKO për Leonard Dukën dhe vrasjen e Santiago Malkos. Në sallë bashkë me Dukën, ishte edhe e ëma e viktimës, Santiago Malkos, e cila ka “shpërthyer” teksa është përballur me porositësin e vrasjes të së birit.
“O maskara, ma vrave djalin 25 vjeç, o qen, si del ti aty?,”-tha ajo në sallën e gjyqit. Por nuk është ndalur me kaq, madje në një moment e kërcënon: Ti do dënuar me vrasje!; por në këtë pikë ka ndërhyrë gjyqtarja dhe i ka kujtuar se kërcënimet nuk lejohen në sallën e gjyqit. Sipas të pranishmëve në sallë, teksa e ëma e Malkos e shante dhe fyente, nga ana e Dukës nuk ka pasur asnjë reagim. E vetmja që ka ndërhyrë ka qenë gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në momentin që gjyqtarja Rudina Palloj i ka dhënë fjalën, Duka tha se kërkonte më shumë kohë që të njihej me aktet që përmban dosja e tij. Por kërkesën e të akuzuarit, prokurori Behar Dibra e cilësoi si të padrejtë, pasi kishin rënë dakord që i pandehuri të pyetej sot në sallën e gjyqit.
Në këtë moment, ka ndërhyrë sërish mamaja e Santiago Malkos, e cila kërkoi dënim maksimal për porositësin e vrasjes të së birit.
“Nuk ka çfarë lexon fare. Burgim me vdekje!”
Megjithatë, edhe avokatja e Dukës kërkoi shtyrje të marrjes në pyetje, duke theksuar se nuk ishin të përgatitur sot, kështu që Gjykata vendosi t’i jepet më shumë kohë që të përgatitej dhe më pas të jepte versionin e tij lidhur me ngjarjet për të cilat akuzohej.
Avokatja: Meqenëse i pandehuri shfaqi pëlqim për t’u pyetur, por kërkoi kohë, vlerëson se nuk mund ta detyrojë atë të pyetet. Sot nuk jemi gati, por seancën e radhës vijojmë prapsimet dhe kur klienti të jetë gati të përgjigjet
Gjyqtarja Palloj: Është çështje vullneti. Në këto kushte do i jepet kohë.
Para mbylljes së seancës, Duka ndërhyri edhe njëherë duke e akuzuar prokurorin Dibra sit ë “korruptuar”. Në fjalën e tij shkurt, ai shprehu shqetësimin se prokurori po kërkonte ta dënonte pa prova, duke shtuar se në fakt Dibra duhet të bënte detyrën pa u ndikuar nga krimi i organizuar.
“Prokurori është i njëanshëm, më akuzon si organizator i vrasjes së Santiago Malkos. Dhe kam vënë re që do të më dënojë… Prokurori mos të korruptohet nga kriminelet e vendit por të bëjë detyrën. Prokurori po kërkon të më dënojë pa fakt, pa asgjë,”-tha Duka.
Por edhe pse e akuzoi, nuk dha detaje të tjera.
Seanca për Leonard Dukën është shtyrë për më 24 tetor në orën 12:30. Në fund të seancës, teksa të gjithë po dilnin nga salla, mamaja e Santiago Malkos u ngrit nga vendi dhe iu drejtua kafazit ku ndodhej Duka. Menjëherë ndërhyri sigurimi, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Duke marrë parasysh tensionet në gjyqin e sotëm, nuk dihet nëse e moshuara do të lejohet që të marrë pjesë në takimin e datës 24 tetor.
SI NDODHI VRASJA E SANTIAGO MALKOS?
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Deri më tani, I vetmi i dënuar me 25 vite burg është Blendi Teta, i cili akuzohet si një person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.
Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë).
Ish-bossi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022 shprehej se Malko ka gabuar me babanë e Dukës, referuar faktit që ia ka marrë peng dhe i ka dërguar video duke e torturuar. Madje në një episod e quan Malkon skizofren dhe njeri që i ka sjellë vetëm probleme.
Biseda është zhvilluar kur dyshja i kishte prishur marrëdhëniet miqësore por edhe ato si ortakë.