Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi. Në vijim të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes Policia ka kontrolluar banesën e autorit Gerald Shehu. Blutë njoftojnë se nga këqyrja e banesës ku qëndronte autori Geraldo Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur.

“Nga këqyrja e banesës ku qëndronte shtetasi G. Sh., në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim,”-thuhet në njoftimin e Policisë.

Si ndodhi ngjarja?

Eraldo Nevruzi u vra mesnatën e të mërkurës, në Dhërmi, rreth orës 00:30. Ai ishte vetëm një javë që kishte nisur punën në Hotelin Greccia në Dhërmi, ku Gerald Shehu ishte një prej bashkëpronarëve, së bashku me vjehrrin e tij. Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin në një nga dhomat e hotelit, pasi ai kishte marrë turnin dhe pasi ka zhdukur trupin. Autori së bashku me dy punonjësit e hotelit “Greccia” Daniel Qose e David Larti, të cilët ndihmuan në fshehjen e trupit të viktimës janë arrestuar. Kërkimet për trupin e pajetë të 31-vjeçarit vijojnë.