Policia ka arrestuar dy persona, babë e bir, në lidhje me vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Postribës, Shkodër.

Ngjarja ndodhi tre ditë më parë, kur trupi i pajetë i Matajt u gjet brenda një automjeti nga banorët e zonës, të cilët njoftuan autoritetet.

Përveç dy të arrestuarve, policia ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e krimit. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur viktimën gjatë natës dhe kanë vepruar në momentin kur ai doli në rrugën kryesore të fshatit, duke e qëlluar për vdekje.

Ramazan Mataj ishte kthyer në Shqipëri një vit më parë, pasi kishte jetuar për një periudhë të gjatë në Belgjikë, ku aktualisht ndodhet edhe vëllai i tij. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e motiveve të krimit.