Një grup kriminal që ushtronte aktivitet në tregtinë e drogës në zona të ndryshme të Athinës është shkatërruar nga policia greke. Në kuadër të një operacioni të organizuar, u arrestuan 3 shtetas shqiptarë dhe një shtetas grek, ndërkohë që u kryen 5 kontrolle banesash dhe një tjetër në një biznes, raporton Protothema.
Nga hetimet paraprake rezultoi se bëhet fjalë për një grup kriminal me veprimtari të vazhdueshme, me strukturë hierarkike dhe me role të dallueshme mes anëtarëve të tij, i cili merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe cannabis, në zona të ndryshme të Athinës.
Nga hetimet rezultoi se 43-vjeçari Arjel Tafilaj nga Selenica, ishte drejtuesi, i cili merrte çdo vendim lidhur me grupin, ndërsa ishte i informuar përpara se të merrej ndonjë veprim nga anëtarët e tjerë.
31-vjeçari Ledjo Harizi nga Luftinja e Memaliajt, si një anëtar kyç i grupit, zëvendësoi 43-vjeçarin aty ku ishte e nevojshme, duke mbajtur një biznes legjitim që grupi e përdorte për mbledhje dhe vendimmarrje. 55-vjeçari Viktor Leme nga Fier Shegani i Lushnjes, kryente shpërndarjen e drogës dhe komunikimin me “klientët”, duke ndjekur me besnikëri udhëzimet e drejtuesve të organizatës, ndërsa 29-vjeçari grek Spyridon Antoniou furnizohej nga grupi i mësipërm dhe shpërndante sasi kokaine dhe cannabisi.
Për sa i përket metodologjisë së funksionimit, anëtarët e organizatës komunikonin kryesisht përmes aplikacioneve online ‘Viber’, duke shmangur përmendjen e emrave të tyre gjatë bisedave për të vështirësuar identifikimin e tyre, ndërkohë që përdornin emra të koduar për lëndët narkotike që trafikonin. Në kuadër të të njëjtit operacion, në kontrollet e kryera në posedim të tyre, në banesa dhe në një dyqan në zonën e Markopoulos, ndër të tjera u gjetën dhe sekuestruan:
70.66 gram. kokainë,
269,8 gram. kanabis,
një armë gjahu,
2 pistoleta,
një revole,
një pistoletë dhe një thikë,
84 gëzhoja,
shuma e parave 8420 euro, 52 dollarë, 500 paund suedez dhe 1600 lekë shqiptare,
2 peshore,
9 celularë dhe
8 makina të përdorura për transport.