Një skemë e korrupsionit në radhët e Policisë kufitare në aeroportin e Rinasit është goditur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Tiranës, duke lëshuar dy masa sigurie “Arrest me burg”, tre masa sigurie “Arrest në shtëpi” dhe katër masa sigurie “Detyrim Paraqitje”

Caktimi masave të sigurimit personal ndaj zyrtarëve policorë, u bë i mundur si rezultat i hetimeve disa mujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokuorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, nëpërmjet të cilave u siguruan prova dhe fakte për implikimin e tyre në veprimtari të kundraligjshme.

Më konkretisht, pas kërkesës së AMP-së, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “Arrest në burg” për inspektorin Briken Tereziu me detyrë ndihmës specialist, kontrollor në Aeroportin e Rinasit, por ai nuk është arritur të arrestohet dot nga Policia dhe është shpallur në kërkim.

Gjithashtu, masë e dytë sigurie “Arrest në burg” është lëshuar edhe për Eneo Sulejmanaj , ish-kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, të cilit i është komunikuar masa në qeli. Ky i fundit ndodhet në burg pasi u kap me 1 kg kokaine pak kohë më parë.

Po ashtu, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për tre efektive policie të cilët janë Sokol Xhika, Aris Drini dhe Ermal Mesi, të tre inspektorë në aeroportin e Rinasit me detyrë ndihmës specialist, kontrollor.

Ndërkohë, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” edhe për katër efektivë të tjerë: Enkis Aliaj, Argil Hasa, Ylli Prenci, dhe Rei Shenjtolli, po ashtu nspektorë në aeroportin e Rinasit me detyrë ndihmës specialist, kontrollor.

Gjithashtu, AMP raporton se aktualisht vazhdojnë hetimet në gjendje të lirë edhe për 8 punonjës policie të tjerë të aeroportit të Rinasit, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor, të dyshuar të përfshirë në të njëjtin aktivitet kriminal.

Prokuroria e Tiranës bën me dije se është provuar se të nëntë personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mundësonin kalimin e shtetasve që ju ndalohej kalimi në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian nëpërmjet Aeroportit të Rinasit. Sipas organit të drejtësisë, kjo skemë kriminale është zbardhur pas zbërthimit të telefonit të Eneo Sulejmanajt, i cili u arrestua për drogë.

Veprimtaria kriminale dyshohet se është kryer nga marsi 2023 deri në mars 2024. Dyshohet se agjencia në emër të Sulejmanajt, “Bus Albania” priste bileta avioni për persona të ndryshëm që nuk udhëtonin dot drejt BE. Eneo Sulejmanaj kishte kontakte me efektivin Briken Tereziu. Ky i fundit përmes kolegëve të tij lejonin udhëtimin e personave të jashtëligjshëm për të kaluar kufirin përmes shumave monetare.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, për personat që kishin problematika për kalimin drejt vendeve të BE-së, ryshfeti shkonte nga 500 euro dhe më shumë.

“Nga konteksi i bisedave të zhvilluara mes tyre dhe verifikimeve në sitemin TIMS, rezulton se kontaktonte me shtetasi Briken Tereziu, me detyrë Ndihmës specialist/kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas. Shtetasi Eneo Sulejmanaj ka në pronësi një Agjensi Udhëtimi, “Bus Albania” me objekt veprimtarie, ndër të tjera edhe “agjensi për shitje biletash”.

Me qëllim përfitimin e vlerave monetare, krahas vlerës së biletës së avionit, shtetasi Eneo Sulejmanaj mban kontakte të vazhdueshme me punonjësin e policisë Briken Tereziu, të cilit i dërgon të dhënat e personave të cilët kanë blerë bileta në këtë agjensi, për verifikim paraprak të rekordeve në sistemin TIMS, për të verifikuar nëse plotësojnë kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, sipas përcaktimeve të akteve ligjore e nënligjore për këtë qëllim, duke e informuar atë rast pas rasti për problematikat që ata kanë.

Pasi këta persona verifikohen paraprakisht prej tij, ose lidhjeve të tij shoqërore/punonjës policie, jepeshin udhëzimet mbi kabinën ku duhet të paraqiten për përpunimin e të dhënave dhe vlerat monetare në këmbëim të lejimit për të udhëtuar dhe formën e dorëzimit të tyre.

Në varësi të problematikës, për rastet të cilat personat janë kthyer në kategorinë INAD ose deportiv nga vendet e BE-së, punonjësi i policisë Briken Tereziu jep udhëzime mbi itenerarin e udhëtimit që duhet të kryej pasagjeri, duke vendosur si destinacion fillestar aeroportet e vendeve që nuk janë në BE dhe më pas kryerjen e flutrimeve tranzit drejt vendeve të Be-së.

Në lidhje me rastet të cilat kanë problematika të tjera, në varësi të tyrre përcaktohen vlerat monetare në këmbim të lejimit të kalimit, të cilat variojnë nga 50 euro (per persona të cilët nuk kanë asnjë problematike, por mashtrohen prej tyre) deri në vlerat e 500 eurove apo më shumë për ata që kanë problematika të tipit, nuk lejohen të udhëtojnë pasi janë të kthyer në kategorinë Inad apo deportiv nga shtetet e tjera, anëtare të BE-së.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Në kërkim: Inspektor Briken Tereziu, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” 259 dhe 248 të K.Penal (Shpallur në kërkim);
Arrest në burg: Eneo Sulejamanaj, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i K.Penal. (Ne qeli)
Arrest shtëpie
Inspektor Sokol Xhika,, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Inspektor Ermal Mesi,me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Inspektor Aris Drini, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Detyrim Paraqitje
Inspektor Ylli Prençi, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Inspektor Rei Shenjtolli, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, , i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Inspektor Enkis Aliaj, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, , i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;
Inspektor Argil Hasa, me detyrë Ndihmës specialist, kontrollor: Seksioni i kufirit, ne Komisariatin e Policise Kufitare Aeroporti Rinas, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal;