Petrit Isufi, Rabani Myrtaj, dhe veterineri, Kliest Nika, përfunduan në prangat e policisë këtë të shtunë.
Policia i arrestoi të dy shtetasit në flagrancë, teksa në aksin rrugor “Kardhiq-Gjirokastër”, në vendin e quajtur “Viroi”, duke drejtuar automjetin tip kamion, u gjetën dhe u sekuestruan bagëti të imta të kontrabanduara nga shteti grek.
Njëri prej të arrestuarve është veteriner, i cili dyshohet se ka falsifikuar certifikatën veterinare të transportit të bagëtive të imta.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 141 bagëti të imta, kamioni me të cilin po transportoheshin dhe 3 celularë.
Njoftimi i policisë
Finalizohet pas 3 muajsh hetime, me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Rruga e fundit”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.
Transportonin me kamion, bagëti të imëta të kontrabanduara, vihen në pranga 2 shtetas. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Vihet në pranga dhe 1 shtetas tjetër (veteriner), pasi nga hetimet dyshohet se ka falsifikuar certifikatën veterinare të transportit të bagëtive të imta.
Sekuestrohen 141 bagëti të imta, 1 kamion dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Seksionin Operacional të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në inteligjencën informative, si rezultat i një pune hetimore të ndjekur me metoda proaktive prej 3-muajsh, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rruga e fundit”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:
– Petrit Isufi, 53 vjeç, banues në Konispol;
– Rabani Myrtaj., 39 vjeç, banues në fshatin Karjan, Gjirokastër,
– Kliest Nika, 32 vjeç, banues në Sarandë, veteriner.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi J. H., 25 vjeç, banues në Valare, Gjirokastër.