
Policia e Tiranës ka dalë me një komunikatë për mediat në lidhje me aksionin, ku u godit një rrjet prostitucioni me vajza nga Amerika Latine në kryeqytyet.
Raportohet se në kuadër të operacionit të koduar “Orkidea”, Prokuroria ka lëshuar gjithsej 11 masa arresti, ku janë ekzekutuar 8 prej tyre, ndërsa 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. 8 prej arresteve që janë ekzekutuar, 6 prej tyre janë “arrest me burg” dhe dy të tjera “arrest në shtëpi” Po ashtu, bëhet me dije se janë proceduar penalisht dhe 44 vjaza nga Amerika Latine, të cilat shfrytëzoheshin për prostitucion.
Rrjeti i prostitucionit drejtohej nga një grua nga Kolumbia, shtetasja G. R. 47 vjeçe, e cila bashkëpunonte në Shqipëri me një taksist, shtetasin Esmerald Sulollari, i cili sipas Policisë, ishte përgjegjës për sigurimin e kushteve për të ushtruar prostitucion.
Gjithashtu, gruaja kolumbiane, bashkëpunonte dhe me disa kolumbiane të tjera dhe me dy shqiptaret Elona Muraj dhe Anisa Brahaj, për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve, ku vajzat nga Kolumbia do të ushtronin prostitucion. Anisa Brahaj është efektive policie me detyrë nënkomisare në komisariatin nr.4 në Tiranë.
Dy shqiptaret ndodhen në “arrest shtëpie, ndërsa 5 kolumbianet dhe Esmerald Sullari kanë përfunduar në burg. Tutorja nga Kolumbia është shpallur në kërkim, pasi rrjetin e prostitucionit e drejtonte që prej shtetit të sajë.
“Shtetasja G. R. 47 vjeçe, (e shpallur në kërkim) drejtonte këtë aktivitet nga Kolumbia dhe në Shqipëri bashëpunonte me shtetasin E. S., ky i fundit ishte personi përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për të ushtruar prostitucion. Po ashtu nga hetimi ka rezultuar se shtetasja G. R dhe shtetasi E. S, bashkëpunonim me shtetaset kolumbiane dhe me shtetasen E. M dhe A. B(punonjëse policie) për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku këto shtetase do të ushtronin prostitucion.” – njofton Policia.
Burime për mediat bëjnë me dije se Esmerald Sulollari i dërgonte tutores kolumbiane paratë në Kolumbi përmes monedhës dixhitale “Bitcoin” dhe “Western Union”. Në Tiranë, vajzat që vinin nga Kolumbia priteshin në aeroportin e Rinasit dhe akomodoheshin kryesisht nëpër “Airbnb”. Çmimet që paguheshin nga klientët ishin nga 200 deri në 250 euro.
Dyshohet se vajzat nga kolumbia kërcënoheshin me jetë për të ushtruar aktivitetin e prostitucionit.
MASAT E ARRESTIT QË JANË EKZEKUTUAR
-Arrest me burg për shtetasin Esmerald Sulollari, 39 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit”;
-Arrest në shtëpi për shtetasen Elona Muraj, 47 vjeçe,, si e dyshuar për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit” ;
-Arrest me burg për shtetasen Yuly Gomez, 33 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen Liliana Valencia, 23 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen Nicol Benitez 27 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Veprim që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
-Arrest me burg për shtetasen Stefania Marin, 29 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen Nicole Bertel, 27 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”:
-Arrest në shtëpi për shtetasen Anisa Brahaj, 34 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Policia thotë se po punohet për kapjen e tre shtetasve në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.