Në foto; i plagosuri Alfred Visha dhe viktima Albert Zorba

Shembja e një skele në një kantier ndërtimi në Gjermani ka qenë fatale për 4 shqiptarë që humbën jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kome. Albert Zorba nga Elbasani dhe Astrit Gjeka nga Dibra ishin dy viktimat e para që u identifikuan. Euronews shkruan se viktima e tretë është Rruzhdi Hoxha nga Kukësi.

Alfred Visha ndodhet në gjendje kome pas aksidentit tragjik në kantierin e ndërtimit në Hamburg mëngjesin e të hënës. Mbrëmjen e së martës është nxjerrë nga rrënojat një tjetër trup, ndërsa një tjetër ende nuk është nxjerrë pasi ndodhet në fund të boshtit të ashensorit i mbuluar nga rrënojat.

Shqiptarët po punonin në kantierin e ndërtimit. Ata ishin të kontraktuar si punonjës në një kompani në pronësi të një shqiptari nga Kosova, i cili pas ngjarjes tragjike është zhdukur. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës teksa shqiptarët po punonin në katin e tetë të një pallati në zonën e HafenCity.