Një shqiptar në Angli u shpall fajtor pasi policia vendase i gjeti një sasi kanabisi, me vlerë 400 mijë paund, por ai nuk është penduar. Sipas BBC, Rakip Karanxha, 45 vjeç, u arrestua pasi oficerët vunë re erën e kanabisit që vinte nga një pronë në North Bar Without, në dhjetor 2021.
Ai u shpall fajtor për prodhimin e kanabisit pas një gjyqi tre-ditor në Gjykatën e Kurorës Grimsby javën e kaluar dhe u dënua me 5 vite burg. Ishin oficerët e Policisë ata që ndjenë erën e kanabisit që vinte nga një pronë dhe pasi kryen kontrolle gjetën 6 dhoma të mbushura me më shumë se 350 bimë.
Gjatë kontrollit të detajuar të godinës, oficerët zbuluan edhe një derë të fshehtë, e cila të çonte direkt në depon e lokalit ngjitur, një restorant, në të cilin menaxher ishte sërish Karanxha. Përveç aktivitetit kriminal, kjo hyrje e fshehtë kishte krijuar potencialisht rrezik zjarri për ndërtesën.
“Karanxha nuk u pendua për krimet e tij, duke refuzuar të pranonte atë që kishte bërë. Ai ishte gjithashtu i gatshëm të bënte përpjekje të mëdha për t’i fshehur këto krime, sepse kur oficerët u kthyen gjashtë ditë më vonë për të kryer hetime dhe kontrolle të mëtejshme, ata gjetën se dera lidhëse që kishin zbuluar fillimisht ishte penguar nga pajisjet e mëdha të kuzhinës,“- tha për mediat e huaja, PC Karl Freeman, përfaqësues i Policisë.