Mikela dhe Erioni, ish-konkurentët e “Përputhen”, formuan çiftin e tretë të deklaruar nga programi dhe që në dukje kishin marrëdhënien me solide. Themi në dukje sepse mjaftoi pak kohë që ata t’i jepnin fund lidhjes, duke mos dhënë shpjegime për arsyen e ndarjes.
Tani për herë të parë, Erioni ka rrëfyer për “Prive” arsyet kryesore që çuan në prishjen e raportit të tij me Mikelën, duke u shprehur se ata nuk e kanë pranuar asnjëherë që janë 100% të ndarë.
“Ka pasur shumë(arsye) dhe nuk është se jemi marrë me përgjigjen pasi e kemi pak të vështirë ta pranojmë diçka që është e vërtetë. Arsyeja pse u prishën marrëdhëniet, u ftohën, ishte kryesisht distanca. Ajo ishte e angazhuar më shumë në Shqipëri në pjesën jugore, unë në Kosovë. Distanca bëri të vetën. Për sa kohë ishte, ishte diçka shumë e bukur. Sa herë që pyetemi, siç ndihem unë por edhe në bazë të përgjigjeve të asaj, nuk pranojmë 100% që çdo gjë ka marrë fund. Ne nuk e shikojmë njëri-tjetrin si shokë”- tha Erioni, ndërsa sa i përket zënkave mes tyre u shpreh:
“Sherre ka pasur shumë por që nuk mund të dilinim në përfundim. Edhe pse asnjëri nuk e thoshte asnjëherë fjalën e fundit, sherri e solli situatën në përfundim”.
Meqë ra fjala Erioni sapo ka publikuar një këngë me emrin “Mirela”. Po pikërisht, Mirela, jo Mikela dhe Erioni i mohoi gjithë zërat se është dedikim për të, thjeshtë i ka ndryshuar titullin pas ndarjes:
“Pak si e vështirë ta besosh por që ishte rastësi sepse ka qenë një projekt i filluar prej dy vitesh edhe në momentin që e kam dëgjuar pak, e kuptova që është për mua. Tani për titullin thanë titulli quhej “Mirela” dhe më pëlqeu shumë dhe kështu e lashë.”