
Ermal Dredha ia “dredh” 8 ofertave më të ulta dhe shkon kap Astrit Gjikondajn me çmimin më të lartë
Open Data Albania ka ngritur akuza serioze ndaj Ermal Dredhës lidhur me një tender të Bashkisë Vlorë me vlerë afro 1.2 miliardë lekë, ku të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesve, janë skualifikuar. Ndër to, edhe oferta me vlerën më të ulët. Siç mëson Gazeta Jonë pas shfletimit të dokumenteve,kjo procedurë konsiderohet si shkelje flagrante e ligjit dhe favorizim i paracaktuar i kompanive fituese.
Tenderi ka për objekt “Rikonstruksionin e rrugës Ish Fabrika e Çimentos (segmenti i I-rë)”, u shpall më 7 tetor 2024 dhe ka një fond limit prej 113 224 277,00 lekë. Projekti synon jo vetëm rikonstruksionin e rrugës, por edhe rikualifikimin urban të zonës së banuar pranë saj, duke përfshirë rrugët “Shaban Seferi”, “Mustafa Bimo” dhe “Eduard Lir”.
Tenderi gjithashtu parashikon ndërtime infrastrukturore, sistemim kanalesh dhe gjelbërim, me rrugën “Eduard Lir” që do të shndërrohet në minibulevard. Faza e parë do të mbulojë 1474 metra rrugë. Megjithatë, ka dyshime serioze mbi procedurat dhe cilësinë e zbatimit të projektit.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte 23 tetor 2024. Edhe pse 15 kompani shprehën interes, gara reale mungoi. Komisioni e shpalli fitues konsorciumin mes “ASI-2A CO” shpk (në pronësi të Astrit Gjikondajt) dhe “ULZA” shpk (në pronësi të ish-deputetit Ndue Shpani). Oferta e tyre prej 837 milionë lekë (pa TVSH) ishte një nga më të shtrenjtat, por u shpall fituese pas skualifikimit të operatorëve të tjerë, disa prej të cilëve me oferta më të ulëta.
Justifikimi për skualifikimet ishte kryesisht “oferta anomalisht e ulët” dhe pretendime mbi angazhimin e makinerive në projekte të tjera.
Open Data Albania e ka cilësuar tenderin si një rast flagrant të keqpërdorimit të fondeve publike, duke e shënuar me “flamur të kuq” si sinjal alarmi për korrupsion.
Sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike, kontrata është lidhur më 17 janar 2025, ndërsa institucioni vijon të miratojnë tendera pa hetime apo verifikime administrative.
Emri i Astrit Gjikondajt shfaqet në disa tendera të Bashkisë Vlorë. Përveç tenderit për rrugën e Fabrikës së Çimentos, ai ka fituar një kontratë me vlerë 324 milionë lekë për “Rikonstruksionin e Kopshtit Nr. 10” dhe një tjetër nga Bashkia Shkodër për “Mirëmbajtje dhe shtrim i oborreve të shkollave” me vlerë 237 milionë lekë.
Më 22 tetor 2024, Ermal Dredha i dha po kësaj kompanie tenderin për “Rikonstruksionin e Galerisë” në Vlorë me fond limit 12 988 333,00 lekë, me afat përfundimi katër muaj. Kjo ka ngritur dyshime serioze mbi favorizimet dhe mungesën e konkurrencës së lirë.
Ky rast mund të jetë objekt hetimi nga KLSH dhe SPAK, duke marrë parasysh që disa kritere nuk janë zbatuar njëlloj për të gjithë operatorët. Ndërsa disa kompani u skualifikuan me argumentin se kishin angazhuar burimet e tyre në projekte të tjera, kjo nuk u mor parasysh për kompaninë fituese.
Për momentin, tenderi ka kaluar pa pengesa, por mbetet për të parë nëse organet e drejtësisë do të marrin masa ndaj shkeljeve të pretenduara. /gazetajonë