Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço paralajmëron se Ervin Salianji nuk do ta vuajë një vit të plotë dënimin në qeli. I ftuar në “Të Pashoq” me Edjona Dervishin, ai deklaron se Gjykata e Lartë do e ndryshojë vendimin, por sipas tij, problem janë vonesat me zbardhjen e vendimeve.
“Ky rast ka marrë vendim të formës së prerë dhe duhet të shohim të zbardhur vendimin. Nëse unë e shoh të zbardhur, krijoj idenë se çfarë ka çeduar nga mbledhja e provave dhe mbi të cilat do të vihet në vend e drejta e shkelur në gjykatat më të larta. Jemi para faktit që kemi një vendim të formës së prerë.
Gjykata e Apelit ka një problem se jep ekstrakt dhe vonon zbardhjen e vendimit. Avokatët i kanë të lidhura duart. Unë e kam ndjekur në mënyrë mediatike, jo të kem parë aktet konkrete.
Mendoj se Gjykata e Lartë do jetë më e butë. Nuk besoj se do bëjë 1 vit burg. Ka mundësi dhe ta rikthejë në Apel. Janë disa versione të hapura. Nëse gjykon se mund të pezullohet vuajtja e dënimit”, thotë ai.
I pyetur për dënimin e Salianjit nga Apeli me 1 vit burg për kallëzim të rremë në kuadër të dosjes ”Babale”, eksperti thotë se po pret me durim zbardhjen e vendimit të plotë nga Apeli, për të parë aty argumentet ligjorë e pastaj të gjykojë nëse trupa gjykuese ka çeduar, është ndikuar apo ka dhënë vendim të drejtë.