Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji paralajmëroi kallëzim penal ndaj Fatmir Xhafajt, ish-ministër i Brendshëm, për hetimin e pasurisë së tij dhe të familjarëve.
Deklaratën Salianji e bëri pak përpara se të paraqitej në policinë e Tiranës, ku edhe do të niste vuajtjen e dënimit me 1 vit burgim për kallëzim të rremë për çështjen Babale.
Kallëzimi pritet të dorëzohet të hënën pranë Prokurorisë së Posaçme, pasi, sipas Salianjit, ish-ministri Xhafaj duhet t’i nënshtrohet hetimit të pasurisë, përderisa vëllai i tij, Geron alias Agron Xhafaj, ka vuajtur një dënim për trafik droge dhe grup kriminal në Itali.
Sipas ligjit, të gjithë personat e dënuar për krim të organizuar iu është hetuar pasuria e tyre dhe e familjarëve apo personave të bashkëlidhur me ta. Në rastin e Geron Xhafajt kjo nuk ndodhi.
Por pas dënimit, ish-ligjvënësi Ervin Salianji ka vendosur t’i kujtojë SPAK se duhet të hetojë pasurinë e ish-ministrit të Brendshëm.
Në rastin konkret, kazusi do të jetë interesant. Fatmir Xhafaj njihet si arkitekti i reformës në drejtësi, në kuadër të së cilës u krijua dhe Prokuroria e Posaçme.
Nën zë thuhet se disa prej prokurorëve të SPAK janë të besuar të Fatmir Xhafajt dhe sigurisht nuk do të mund të hetonin njeriun që i ka katapultuar në karrierë.
Thënë kështu, kallëzimi penal për Fatmir Xhafajn që pritet të dorëzohet nga ekipi ligjor i Ervin Salianjit, do të jetë test për prokurorinë e Posaçme, e cila do të duhet të dëshmojë paanshmëri.
Nisur kjo edhe nga fakti se sërish Fatmir Xhafaj po tenton me çdo kusht që, përmes një komisioni anti-SPAK, po përpiqet të vërë nën darë edhe ato elementë të prokurorisë së Posaçme që nuk i ka nën kontroll.
A do ta përshpejtojë kjo padi e Salianjit ngritjen e komisionit anti-SPAK?
Dhe a do t’i bashkohet dhe opozita kësaj nisme? Sepse, siç duken gjërat, një shqetësim të përbashkët kanë të dyja palët dhe ai është: SPAK.
Tani ky institucion duket se është shqetësim edhe për vetë Fatmir Xhafajn, “babain” e reformës që ngjan se po e përdor jo pak edhe për interesat personale të tij dhe familjarëve.