Edi Paloka dhe Bujar Leskaj janë përplasur në parlament me kryeministrin vetëm një ditë pas breshërisë së fyerjeve që Rama lëshoi ndaj deputetëve të opozitës. Socialistët për të ruajtur figurën e Kryeministrit të tyre kërkojnë përjashtimin e dy deputetëve me 10 ditë nga parlamenti, duke thënë se ata vepruan në gjendje të dehur. Paloka dhe Leskaj thonë se kanë qenë esëll dhe se Rama duhet të bëjë test droge.

“Ju jeni ca të mbaruar, ju jeni bedelë, llaxore të marra, kastravecë.”

Përballë këtyre etiketimeve ata që ishin në sallë nuk gjetën një mënyrë që të kundërpërgjigjen për ti vënë fre fjalorit fyes të Kryeministrit.

Ata që nuk ndodheshin të mërkurën në parlament, ja dhanë një ditë më pas përgjigjen.

Edi Paloka dhe Bujar Leskaj u përballen këtë të enjte me kreun e qeverisë.

Por kjo u kushtoi. Socialistët mblodhën firma për masë disiplinore përjashtim me 10 ditë nga Kuvendi për dy deputetët demokratë,të cilët i quajtën dhe të dehur.

Sipas shkresës së socialistëve ata kanë bërë veprime të pahijshme dhe kanë përdorur një fjalor banal gjatë procesit të votimit.

Nga pamjet e transmetuara me regji të vetë Kuvendit, hyrja e dy deputetëve është shoqëruar me ndalimin e audios dhe figurës.

Pak minuta më pas, pamjet shfaqin deputetin Paloka teksa është i rrethuar nga oficerët e Gardës dhe zë vend në karrigen e tij.

Paloka përgënjeshtron historinë e “dy të dehurve” që lëshojnë fyrje pa doganë në parlament.

Ai sqaron se deputetët e opozitës u provokuan për herë të dytë të enjten nga Edi Rama, të cilit i është dhënë përgjigjja e merituar.

Paloka: Po, pas një tjetër provokimi sot të Ramës ndaj deputetëve të opozitës, ndërkohë që seanca ishte ndërprerë, unë dhe deputeti Leskaj thjesht i kthyem atij përgjigjen që meritonte dhe ashtu si e meritonte. Nuk jemi marrë me askënd tjetër përveçse me një palaço që fatkeqësisht sot është kryeministër dhe mendon se mund të sillet me shqiptarët, përfshi deputetët e opozitës, sikur të jenë skllevër të tij. Këtë përgjigje do ta marrë edhe më të qartë nga gjithë ata shqiptarë që ju ka ardhur në majë të hundës jo vetëm me të zezat e këtij kryeministri por dhe me arrogancën e poshtërimin që ju bën çdo ditë. Sa për atë justifikimin qesharak se ne paskemi qenë “të dehur” kur kemi fyer Ramën, mund të bëjmë teste të dyja palët.


Ndërkaq kryeministri Rama ka reaguar përmes rrjetit social twitter, e në fakt duke përsëritur të njëjtën gjuhë të një dite më parë.

Rama: Seanca u mbyll me dy të dehur nga rruga e Foltores që shanë me libër shtëpie në emër të popullit dhe mbetën pa bërtitur “Shqipëria në Rrezik!” se harruan tekstin prej alkoolit! 3 parti bedelësh pa atdhe,pa din e as iman, me dy të shitur në ballë e dyzet të shkalafitur vërdallë.

Por pavarësisht ofendimeve të njëpasnjëshme të Kryeministrit, në seancën plenare të një dite më parë nuk pati asnjë reagim nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, për masë disiplinore.

Skena të tilla në Kuvendin e Shqipërisë përsëriten prej kohësh dhe tradita është ndjekur nga çdo legjislaturë.