Analisti Arjan Çani teksa komenton kontrollin e policisë në shtëpinë e Ervis Martinajt thotë se ka qenë përgjimi i një telefonate që i dha indicie policisë.
“Është përgjuar një telefonatë e një të burgosuri me një tjetër, që ka lidhje me shtëpinë e Ervis Martinaj. Është përmendur Martinaj dhe gjërat që mbante në shtëpi”, është shprehur Çani në “Top Story”.
Pyetjes nëse kemi të bëjmë me një shoë të radhës nga policia, Çani i përgjigjet se nuk mund të jetë vetëm shfaqje.
“Duhet të ketë një element të ri që ka nxitur policinë të veprojë”, thekson ai.
Në një njoftim zyrtar policia sqaroi se mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e Ervis Martinajt dhe xhaxhallarève të tij, Faik Martinaj dhe Ragip Martinaj.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.