Mëngjesin e sotëm RENEA dhe FNSH zhvilluan kontroll në shtëpinë e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe të Kurbinit. Gjithçka është vendosur në lëvizje nga prokuroria e Kurbinit, e cila deklaron se kontrollet në Fushë-Kuqe janë me vendim gjykate në kuadër të hetimeve për ngjarjet që kanë ndodhur në këtë zonë, përfshirë edhe zhdukjen e biznesmenit.

Përveç kontrolleve në shtëpinë e Ervis Martinajt, objekt i kontrolleve të forcave të policisë ishin edhe banesa dhe ambiente të tjera, përfshirë të njohur dhe familjarë të tij, përmes së cilave synohet të sigurohen prova për t’i dhënë një përgjigje fatit të Martinajt.

Deri në mesditë nuk ka pasur asnjë njoftim nga policia dhe prokuroria nëse janë gjetur elementë të vlefshëm për hetimin. Biznesmeni, i cilësuar si mbreti i basteve është zhdukur dhe policia nuk ka një version nëse kemi të bëjmë me inskenim apo krim.

Kontrollet kanë qenë të shumta në disa qytete por pa rezultat. Kryeministri Edi Rama i vendosi ultimatum kreut të ri të policisë, Muhamet Rrumbullaku që të kishte sa më shpejt një përgjigje, por kaluan 100 ditë dhe ka vetëm heshtje.