IMG_9692

Nga paraburgimi, Erjon Veliaj nuk ndalet në sulmet ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado, duke ngritur pretendime për manipulime në dosjen e tij hetimore. Pas debateve të ashpra që pati në sallën e gjyqit me Ols Dadon gjatë seancës së të mërkurës, kryebashkiaku Veliaj ka vijuar me akuzat e ashpra ndaj tij edhe ditën e sotme.

Dhe si për të dëshmuar faktin se ka manipulime në dosjen hetimore ndaj tij, Veliaj përdor vendimin e GJKKO për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të në mungesë, që iu komunikua gjatë së mërkurës. Sipas vendimit të gjyqtarit të posaçëm Erjon Bani, kryebashkiaku i Tiranës rezulton me status “i dënuar”.

Ky moment nuk lidhet me asnjë tentativë për manipulim, por me një problem që ka sistemi i gjendjes gjyqësore, i cili administrohet nga Ministria e Drejtësisë.

Certifikata e gjendjes gjyqësore të personit nën hetim, Erjon Veliaj, është shkarkuar nga BKH-ja kur u përgatit dosja për t’u dorëzuar në gjykatë.

Në këtë certifikatë të gjeneruar nga sistemi, Veliaj rezulton “i dënuar”. Por ka qenë vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që, përmes një shkrese të paraqitur dje në seancë gjyqësore, ka pranuar se është gabim i sistemit.

Ndaj, para se Veliaj të pretendojë për manipulime, duhet t’u kërkojë kolegëve të tij socialistë që të administrojnë si duhet sistemet, me qëllim që as ai dhe as ndonjë tjetër të mos rezultojë me gjendje gjyqësore “i dënuar” kur nuk është i tillë. Sepse një debat i ngjashëm u bë edhe në rastin e Fredi Belerit. Por, siç ndodh përherë në rastet kur “goditen” njerëzit e politikës, më shumë sesa faktet, vëmendjen e rrëmben propaganda. Ndaj kanë bërë mirë që i kanë publikuar statusin e Veliajt kudo, por ndoshta nuk do ishte gabim që dhe të pyesin se cili institucion është përgjegjës për statusin e “gabuar” të Erion Veliajt./vna.al