Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka mbërritur në Holandë, ku do të takohet me homologun Mark Rutte.

Por ndërsa Rama po viziton këtë vend, mediat holandeze kanë marrë në intervistë gazetarin dhe shkrimtarin Fatos Lubonja. Ky i fundit ka dhënë një intervistë për portalin Sargasso, ku thotë se kryeministri holandez nuk duhet t’i besojë Ramës.

Në intervistë ai shprehet se nuk ka kurrfarë progresi në Shqipëri, ndërsa vendi po përkeqësohet me shpejtësi. Shkrimtari shqiptar, i dënuar me 17 vite burg gjatë komunizmit, thotë se Shqipëri është një shtet mafioz dhe Edi Rama e ka lehtësuar diçka të tillë.

Për të ilustruar rënien e Shqipërisë nga standardet evropiane, Lubonja, jep dy shembuj.

I pari është kur kryeministri foli nga Shkodra gjatë fushatës së vitit të kaluar. Duke iu përgjigjur biznesmenëve që ankohen për mungesë punëtorësh, ai i këshilloi që të marrin staf nga Bangladeshi, pasi jo vetëm që punojnë më shumë, por nuk dinë shqip dhe nuk flasin shumë.

“Ky është përdorim i njerëzve për të maksimizuar fitimin. Në një shoqëri të qytetëruar, sipas parimit kantian, një lider politik duhet t’i trajtojë njerëzit dhe mirëqenien e tyre si qëllim,” thotë Lubonja, duke shtuar se Rama është një promotor vulgar i formës më të hapur të shfrytëzimit kapitalist.

Sipas Lubonjës, Partia Socialiste që drejton Rama nuk është aspak e denjë për emrin që mban. Këtë e ilustron edhe fakti se në një rast kur Rama ftoi sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri, u tha se duhet të vijnë sepse nuk do të shqetësohen nga sindikatat sepse ato nuk ekzistojnë në Shqipëri.

Shembulli i dytë, sipas Lubonjës, ka të bëjë me tregtinë e drogës. Në intervistë ai citon një raport për numrin e personave të arrestuar në Europë për trafik kokaine. 266 shqiptarë janë arrestuar mes viteve 2018 dhe 2020. Shqipëria kryeson listën, duke qëndruar më lart se Brazili dhe Kolumbia.

“Si është e mundur që një vend kaq i vogël të prodhojë kaq shumë krim? Sepse Shqipëria është bërë një shtet mafioz. Kjo konfirmohet edhe nga një prokuror italian që ka ndjekur Ndraghetën, që thotë se Shqipëria është bërë si Kalabria e viteve ‘60”.

Sipas Lubonjës, pyetja më e rëndësishme në negociatat e anëtarësimit është: Kush do të përfitojë nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE?

Sipas tij, përfitimet më të mëdha do u shkojnë njerëzve të gabuar, mafias së plotfuqishme dhe politikanëve të korruptuar që blejnë vota.

Lubonja thotë se Edi Rama është një lider autokratik.

“Ai ka eliminuar të gjitha grupet konkurruese. Një demokraci jeton me shanset e ndryshimit të pushtetit. Politikanët autoritarë si Rama e çaktivizojnë atë mekanizëm dhe e prezantojnë veten drejtpërdrejt para publikut si lideri i vetëm i popullit.

Madje prej disa vitesh ai ka edhe televizionin e tij për të tërhequr popullatën. Shembulli është Berluskoni. Shumë propagandë, shumë spektakël”.

Lubonja e sheh shumë të dhimbshëm edhe qëndrimin jokritik që mbajnë shumica e gazetarëve në Shqipëri.

“Ka informacione të mjaftueshme për gjendjen në vend. Por Rama di ta manipulojë mirë audiencën e tij.

Dhe ai merr shumë mbështetje nga jashtë, një nga këshilltarët kryesorë të tij është ish-kryeministri britanik, Tony Blair”, shprehet Lubonja.