Avokat Spartak Ngjela i bën thirrje Partisë Socialiste të interesohet për kurimin e liderit historik Fatos Nano.

Nano po qëndron i shtruar në reanimacionin e një spitali privat në Tiranë, pas problemeve me mushkërinë dhe mosfurnizimin me oksigjen.

Ngjela e quan Nanon si një politikan që i dha shumë shtetit shqiptar, solli shpirtin e demokracisë, dinjitetit, dialogut dhe mendimit ndryshe në Partinë Socialiste.

Reagimi i plotë i avokat Ngjelës:

Fatos Nano është në gjendje jo të mirë shëndetësore! Lideri historik i PS shtrohet në reanimacion në Tiranë.

Unë i uroj një shërim sa më të shpejtë.

Nuk e di sa i vërtetë mund të jetë ky lajm, por Partia Socisliste duhet të tregojë një interesim të madh në kurimin sa më shpejt të Fatos Nanos.

Ai është një individ i veçantë në historinë politike të Shqipërisë…

Nano formoi një parti të majtë me koncepte moderne;

Lejoi në Partinë Socialiste mendimin kundër, si asnjë parti në Shqipëri, që nga viti 1946 e deri në ditët e sotme;

Nano i dha Partisë Socialiste shpirt demokracie dhe dinjitetin e liderëve të saj që kërkonin individualizëm politik;

Fatos Nano i dha të kuptuar botës demokratike në Perëndim se doli edhe në Shqipëri një parti që personaliteti i partisë nuk mund të fyejë personalitetin e anëtarit të saj dhe, as individualitetin e tij e të liderëve të saj, që janë në garë politike me njëri-tjetrin.

Nano u tregoi shqiptarëve jo me fjalë, por me Vepra të plota, se, partia politike është bashkim vullnetar individësh me një ideologji dhe filozofi të brendshme që mund të ndryshojë sa herë që këtë e kërkon faktori kombëtar, në funksion të zhvillimit kombëtar;

Fatos Nano është i pari kryeministër shqiptar që dinte të sillej si njeri e jo si pushtetar absolut në marrëdhëniet e tij shoqërore: i qetë, me humor, i thjeshtë, replikues i këndshëm dhe gjithmonë me një theks të ri politik;

Dhe më në fund:

Fatos Nano i dha shumë historisë së shtetit shqiptar, dhe deri tani ai është kampioni e vetëm i kryeministrit shqiptar që dinte ta mbronte personalitetin e tij, jo me “rasson” e kryeministrit si mjet presioni, por me intelektin e tij të lartë qytetar që ai e disponon në formimin e tij shkencor.