Në një takim me ekspertë shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit, përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë, kryeministri Edi Rama ka folur për fermerët që hedhin në plehra prodhimet e tyre.
Rama tha se ministria e Bujqësisë, dhe vetë fermerët duhet të ndajnë praktikat mes tyre, pasi në një kohë që fermerët hedhin qershitë e tyre në plehra, një pjesë tjetër kanë arritur që të nxjerrin fitime të majme nga shitja e prodhimit.
“Dalin disa fermerë aty që hedhin prodhimet, kjo do të ishte shqetësuese, në rast se do të hidhnin fermerët e të gjithë Shqipërisë. Por kjo nuk ndodh, pasi fermerët e tjerë bëjnë të ardhura të larta falë atij prodhimi, kush është diferenca mes tyre? Kur të dy janë në të njëjtin territor, çfarë duhet bërë këtu?
Ata fermerë të marrin mundimin dhe të shkojnë te fermerët e tjerë, dhe ti pyesin ore si i bëni ju këto. I takon dhe strukturave të Ministrisë që të krijojnë këto struktura për të transferuar dijeni. Kriza që kemi para syve tanë nuk është një krizë që e kemi krijuar ne dhe as e ndalojmë dot ne.
Flitet për një dimër shumë të vështirë përpara, për mungesa shumë të mëdha, në disa zona të botës, ku ne për momentin nuk përfshihemi”, tha Rama.
Ndërkohë që Rama foli dhe për gjendjen e blegtorisë, ku sipas tij nuk qëndrojnë shifrat për uljen e prodhimit, por edhe numrit të krerëve të bagëtive.
‘Shqipëria prodhon sot 97% të qumështit që konsumohet’, tha Rama.