Është i tronditur Floriano Zeffiri, drejtuesi i zdrukthëtarisë ‘Cmtpl’ në Castel Bolognese, aty ku punonte Fatjon Garxenaj, 32-vjeçari shqiptar i cili humbi tragjikisht jetën në një aksident me deltaplan në Filetto, së bashku me instruktorin e tij.
Fatjoni, shkruajnë mediat italiane, jetonte me partneren e tij në Riolo Terme, në provincën e Ravenës.
Ai punonte si saldator në ndërmarrjen Castel Bolognese prej më shumë se 7 vitesh, ku ishte rritur profesionalisht.
“Ishte një djalë shumë i mirë, si nga aspekti njerëzor ashtu sikurse edhe profesional. Ishte një punonjës shumë i mirë, që nuk bezdiste askënd, dhe shumë punëtor. Shpesh nga tregonte për fluturimet e tij. Këtu pas kemi një fushë dhe ai ëndërronte që të nisej nga shtëpia dhe të ulej këtu. Fliste gjithmonë për pasionin e tij më të madh, deltaplanin, ishte shumë entuziast. I pëlqente shumë të fluturonte, jetonte për të fluturuar, fluturonte së bashku me partneren tij. Thoshte se një ditë donte të blinte deltaplanin e tij”, rrëfen Zeffiri.
Në zdrukthëtarinë ku punonte janë të gjithë të tronditur. Disa prej kolegëve e morën vesh lajmin e vdekjes së 32-vjeçarit kur erdhën në punë.
“Jemi të tronditur nga tragjedia dhe humbja e parakohshme e një djali flori. Fatjoni ishte më shumë se koleg, ai ishte një mik”, u shpreh një prej tyre.