Përgjimet e SKY janë një minierë ari për SPAK, dhe javët e fundit prokurorët e posaçëm kanë bërë një punë intensive në goditjen e grupeve kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Pas kapjes së Dritan Rexhepit në Turqi, SPAK ka bërë kërkesën për ekstradimin e tij në Shqipëri, ndërsa vetëm pak ditë më parë goditi grupin e Ervin Matës, një ndër trafikantët më të mëdhenj të lëndëve narkotike mes Amerikës latine dhe Evropës.
Por, emrat e dalë në media deri më tani nga dosjet e SPAK janë vetëm maja e ajsbergut, ndërsa Rexhepi e Mata nuk janë të vetmit peshkaqenë të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Në sitën e SPAK është edhe një tjetër i akuzuar si trafikant i nivelit të dy të parëve, që në Tiranë është shndërruar në biznesmen.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet M.M., që të gjithë e njohin si ‘Lushnjari’. Ai prej disa vitesh jeton dhe punon në Tiranë duke qenë ndër investitorët kryesorë në fushën e ndërtimit dhe jo vetëm, ndërsa burimi i të ardhurave është i dyshimtë.
SPAK është duke e hetuar edhe për faktin se ka qenë pjesë e grupit të Dizdarit dhe Rexhepit, ndërsa aktualisht ka lidhje të forta me politikën dhe ortakëri të qëndrueshme me biznesmenë të mëdhenj në vend..
Në dosjen hetimore që kanë në dorë prokurorët e posaçëm janë materiale foto, vend-takime biseda të përgjuara me politikanë dhe biznesmenë të njohur.
Vox News ka siguruar detaje nga materialet që agjentët e BKH kanë në dorë.
M.M., ose ‘Lushnjari’ deri para pak kohësh ruhej nga truproje, pjesë e forcave RENEA, të cilët janë larguar tashmë pas nisjes së hetimeve të thelluara nga ana e SPAK. Ndaj efektivëve në fjalë, prokuroria e posaçme ka hapur një tjetër dosje për të zbuluar se si ka ndodhur që punonjës të strukturave të ngarkuara për zbatimin e ligjit ndryshuan kah dhe u vunë në mbrojtje të një emri të dyshuar si trafikant droge.
Ndërkohë, pas hetimeve të nisura nga SPAK, ‘Lushnjari’ ka pezulluar çdo aktivitet tregtar dhe po përpiqet që të sigurojë informacion se çfarë po ndodh me dosjen e tij.
Edhe pse ka një leje strategjike te diga e Liqenit në Tiranë, ai ende nuk ka nisur punimet dhe së fundi ka shpërndarë fjalë se kërkon që ta shesë lejen e siguruar.