Kur kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga zhdukja e Ervis Martinajt, më në fund familjarët e tij kanë thyer heshtjen. Sot, me akuza dhe tone të larta ka folur xhaxhai i tij, Faik Martinaj, xhaxhai i bossit të lojrave të fatit, nga i cili nuk ka asnjë shenjë. Në një lidhje telefonike për emisionin ‘Pa Gjurmë’, Faik Martinaj hodhi dyshime se i nipi ishte vrarë dhe se kufoma e tij ishte zhdukur nga armiqtë e tij, ndërkohë që nuk i kursyer termat fyes për kryeministrin Edi Rama dhe të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani.
Mirëpo intervista që u transmetua live në TV tashmë nuk ekziston as në webin e faqes, e cila u fshi pak minuta pasi u hodh dhe as në youtube.

Dyshoj që nipi im është vrarë dhe kufoma është zhdukur. Edi Rama megakriminel. E gjitha ndodhi pas Dumanit. Dumani, Dumani, Dumani. Hyr edhe dil Dumani. Ça mendoni se nuk kanë lidhje ato? Ai është vrarë dhe është zhdukur kufoma. Kundërshtarët e kanë eleminuar. Hasmi nuk të zhduk xhenazen. Edi Rama është megakriminel,”-u shpreh ai.

Xhaxhai i Martinajt gjatë intervistës ka theksuar se Rama është ideatori dhe organizatori i vrasjes së nipit të tij dje sipas tij arsyeja ka qenë për pronat në bregdet. Po ashtu ai i ka bërë thirrje Ramës, që të paktën të nxjerr xhenazen e tij, pasi ka mbetur pa varr.

Intervista e Plotë:

Gazetarja: Po diskutojmë për Ulvi Skanën që ka humbur dhe dyshohet se ka lidhje zhdukja e tij me nipin tuaj, Ervis Martinaj. Ju keni deklaruar në polici, keni thënë se mesazhin e fundit jua dërgoi rreth orës 7 të pasdites në 9 Gusht.

Faik Martinaj: Rreth orës 7 e 23 minuta të pasdites, të darkës.

Gazetarja: Çfarë ju shkruante në atë mesazh?

Faik Martinaj: Asgjë. Kurrgjë. Kujdesni nga shtëpia, kaq.

Gazetarja: Thjesht ju përshëndeti?

Faik Martinaj: Ne e dinim, se ne na e ka dhanë mesazhin ky kryeministri i Shqipërisë, fatkeqësi kombëtare, kryekrimineli i kombit shqiptar, Edi Rama na e ka dhënë mesazhin që në fushatën e vitit të kaluar, që i ka thënë se “i them atij drejtorit të basteve” dmth që atëherë na ka kërcënu, se “ia dimë targën e makinës” e kështu dmth. Unë e di zhdukjen e nipit tim, është kryeministri, organizatori është kryeministri Edi Rama me bandat e tij edhe me gjithë oligarkët që i kanë interesat nga bregdeti i jugut. Kryesori, kryekrimineli i zhdukjes së nipit tim. Se hasmi të vret, nuk të zhduk kufomën.

Ndërhyn gazetarja: Zoti Faik! Zoti Faik! Unë kam dëgjuar edhe deklaratat e kryeministrit tonë Edi Rama që shkaktoi drejtorin e policisë se pret nga policia një version zyrtar.

Faik Martinaj: Po se nuk i intereson me e zbulu. Se ishin veglat e tij. Ky ishte iniciatori. Ky ishte organizatori i zhdukjes. Shiko, hasmi të vret, nuk e zhduk kufomën. Këtë, vetëm shteti, një SpiroKolekë i dytë dmth i zhduk kufomat.

Gazetarja: Pra ju besoni se nipi juaj është vrarë?

Faik Martinaj: 100% 100%, e di kryeministri këtë punë

Gazetarja: Për zhdukjen e nipit tuaj ka pasur deklarata nga kryeministri aktual që e ka komentuar, por edhe nga ish-kryeministri Berisha.

Faik Martinaj: Nuk i kam dëgjuar deklarimet e ish-kryeministrit Berisha, por (ndërhyn gazetarja: Dëshironi t’ua them edhe unë) por kam dëgjuar që në zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar kam dëgjuar kryekriminelin, kryeministrin aktual, kryekriminelin (ndërhyn prap gazetarja: Zoti Faik!) edhe që ka deklaruar para mijëra mijëra mijëra qyetarëve në mitingje që “unë I them atij drejtorit se ne ia dimë targën e makinës”, pra ne na e ka kallzu që do t’jua zhduk.

Gazetarja: Po të lutëm Zoti Faik! Ju më deklaruar se janë gjashtë banda, ju e dini që nipi juaj…

Faik Martinaj: Bandat e Edi Ramës, ata që kanë zaptu bregdetin e jugut, bandat e Edi Ramës, i din Edi Rama, e din, krimineli e din, kryekrimineli është Edi Rama.

Gazetarja: Nipi juaj është zhdukur që në datën 9 gusht zoti Faik dhe një pjesë e mirë e miqve të tyre, janë vrarë dhe ekzekutuar dhe vetëm para disa kohëve është ekzekutuar edhe familjari juaj Brilant Martinaj. U eleminuan edhe miqtë dhe në fund ai u zhduk.

Faik Martinaj: Të gjitha, të gjitha janë…

Gazetarja: Mendoni se kemi të bëjmë me bandat e tjera që mund të jenë hakmarrë?

Faik Martinaj: Jo, jo, bandat janë të Edi Ramës. Të gjitha këto. Është iniciatori, është ideatori i të gjithave. Skenari është i Edvin Kristaq Rama, krimineli i kombit.

Gazetarja: Por hetuesit po punojnë dhe të marrin në pyetje kundërshtarët e Ervis Martinajt dhe Brilant Martinajt. Ata rezultojnë jashtë fatkeqësisht. Mendoni se shteti i ka eleminuar këto të gjithë ndër vite? Saga e vrasjeve ka nisur në 2018.

Faik Martinaj: Moj motër, Edi Rama i ka qit prej burgut të përjetshëm. Leji ça rrenash fliten. Ky është mjeshtër. Shiko, kundërshtari, hasmi të vret, nuk ka me të zhduk xhenazen.

Gazetarja: Mendoni se është vrarë dhe kufoma është fshehur.

Faik Martinaj: Me porosi të Edi Ramës.

Gazetarja: Me pak fjalë kështu është shprehur edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Faik Martinaj: Kryeministri me gjithë oligarkët e bregdetit.

Gazetarja: Zoti Faik, por çështja është kthyer në politike, kanë folur edhe kryeministri aktual edh eish-kryeministri. Z.Berisha thotë se është vrarë nipi juaj dhe kufoma mbahet peng. Nga ai e keni mësuar këtë?

Faik Martinaj: Jo, jo, jo, jo!

Gazetarja: Po nga e keni mësuar?

Faik Martinaj: Po e di unë se në fushatën e prillit të vitit të kaluar, na ka thënë. Ka dalë në miting dhe e deklaroi: “Unë i them atij drejtorit të basteve…” Po deshe e kam këtu videon ta çoj në ëhatsapp, por deshe ta çoj. “Unë i them atij drejtorit të basteve, betohet, unë ia di targën e makinës, edhe në brimë të miut po u fut, ne do të të gjejmë”. Edhe e gjeti. Ashtu siç deklaroi edhe e bani, e gjeti. Dëgjo motër, hasmi nuk ka interes me të zhduk xhenazen dhe kufomën, mua baba nuk më ka lënë hasmëri me askënd. Kurse ky qafiri i kombit, Edvini (ndërhyn gazetarja: Të jemi pak korrektë se jemi në transmetim direkt) Edi Rama…

Gazetarja ndërhyn sërish: Nuk e mendoni pistën se miqtë e tij u eleminuan dhe ai mund të jetë zhdukur vetë?

Faik Martinaj: Jo moj, ca është zhduk, e ka thënë Edi Rama që në zgjedhjet e kaluara…na ka thënë do t’ju eleminoj…

Ndërhyrn gazetarja: E mendoni këtë pistë? Duhet të presim, se ende nuk është zbardhu, të presim nga policia e shtetit.

Faik Martinaj: Dëgjo! Me gjithë konsoderatën për policinë se unë kam punu ca vite në polici të shtetit, nja dhjetë vite. Me gjithë konsideratën që kam për drejtorin e policisë së shtetit, por nuk e len kush. A e kupton? Nuk e len kush. Se janë të gjithë të kapur nga Edi. Nuk i len ai. E kupton? Ai kundërshtarët politikë…

Ndërhyn gazetari Sokol Dema: Policia ju ka dhënë një verdikt, një provë përderisa jeni kaq i bindur? Dispononi ndonjë provë?

Faik Martinaj: Prova është Edi Rama, që na ka dhënë deklaratën në fushatën e kaluar. Na ka thënë “edhe në brimë të miut, ne jua dimë targën e makinës”. Ky është ideatori, ky është iniciatori, ky është me bandat e tij, ky është me oligarkët që ka zaptu bregdetin e jugut, janë interesa. Këtë edhe budallai e kupton… por ai ka të drejtë me fol, ne s’kemi të drejtë me fol. Ai të prangos, ai të vret, ai ta zhduk kufomën, ai t’i bën të gjitha. Unë do t’i bëj thirrje nëpërmjet emisionit tuaj: Të paktën xhenazen nxirre, të ketë një varr!

Ndërhyn gazetarja: Vrasjet para se zhdukej Ervisi, vrasjen e Brilant Martinajt dhe të miqve të tyre, me çfarë i lidhni?

Faik Martinaj: Deklarata e Dumanit, erdhi, qitën të gjitha këto pasoja. Dumani prokuror, Dumani i penduar. Dumani burg të përjetshëm, Edvin Rama e nxjerr prej burgut. Si kujtoni ju se nuk kanë lidhje këto punë? Me dosjet e me këto, kush i ka qit prej burgut të përjetshëm? Deklaratat e Dumanit, janë të gjitha këto, por krejt iniciatori është Edi Rama kryeministri kriminel i kombit.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.