Luftë, krizë energjitik dhe dimër i vështirë na pret përpara. Këto janë tre gjërat që kryeministri Edi Rama i thekson sa herë që flet para mediave.
Por, sa e vërtetë është që jemi në krizë energjitike? Mund edhe të jemi, sepse Rama flet për larje enësh 8 herë në muaj dhe po kaq herë edhe për dush. Edhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, kërkon që rrobat t’i lajmë në lqvatriçe me 30 gradë.
Madje, ditën e djeshme, Rama ka bërë të ditur edhe njëherë tjetër se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet për familjarët dhe bizneset e vogla.
Rama theksoi se ata që do të harxhojnë më shumë se 800 KWH do ta paguajmë energjinë me çmimin e tregut.
“Ne jemi i vetmi vend që nuk e kemi prekur çmimin për familjarët dhe bizneset e vogla. Nëse ky është një vendim ambicioz e kurajoz, këtë do ta shohim.
Ata që do të konsumojnë më shumë se 800 kilovat, ata me vila, pishina, për të cilët ka ardhur koha që nuk mund të paguajë më buxheti i shtetit. Prandaj çdo kilovat mbi 800 do të paguhet me çmimin e tregut. Me këtë ne synojmë të krijojmë një presion për të ulur konsumin e tepërt të energjisë elektrike në kushte krize”.
Ai tha gjithashtu se, Shqipëria nuk është në gjendje të prodhojë të gjithë energjinë e nevojshme edhe në vitin me më shumë reshje.
“Shqipëria, edhe në vitin e vet më të mirë sa i përket reshjeve, i cili nuk po na vjen, nuk e prodhon dot të tërë energjinë që i duhet, edhe kur hidrocentralet janë plot. Ne duhet të dalim në treg dhe të importojmë. Ky është fakt”, tha Rama.
Por, një ditë më vonë, në rrugët e Tiranës shihen të gjitha dritat e ndriçimit ndezur.
Ngjan ironike, se ndërsa u kërkon qytetarëve të kursejnë, energjia shpërdorohet nga qeveria për të ndriçuar rrugët në mes të ditës.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Ka pasur plot raste, kur ndërsa flitet për fikje dritash në akset rrugore pas orës 22:00, si masë për kursimin e energjisë, ditën qëndrojnë të ndezura.