Punonjësit e pastrimit presupozohet se janë ata që duhet të pastrojnë qytetin, por në Sarandë ndodh që jo që nuk e pastrojnë, por e dhj*sin në kuptimin e parë të fjalës.
Gazeta Jonë ka siguruar një foto ku duket një punonjës i kompanisë së pastrimit “Alko Impex” duke defekuar në mes të rrugës, pranë shtëpive të banorëve, një veprim aq i shëmtuar sa edhe e johigjenik.
Në fakt siç ka raportuar më herët Gazeta Jonë, kompania e nipit të Sadri Abazit jo vetëm që po dhj*t rrugët e qytetit, por edhe fondet e bashkisë së Sarandës pas një tenderi problematik për pastrimin.
Lexoni lajmin e publikuar kur kompania Alko Impex fitoi tenderin e pastrimit në Sarandë:
Kryetari në ikje i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, ka firmosur një tjetër tender të majmë për pastrimin e qytetit, teksa procedurën prej 1.3 milionë euro ia ka dhënë nipit të Sadri Abazit.
Firma “Alko Impex” ka pastruar qytetin edhe gjatë mandatit të Gurmës, teksa shpeshherë është akuzuar se ka favorizuar këtë firmë, me lidhje të forta politike deri në mazhorancë.
Por, gjatë kësaj kohe, Saranda është “pushtuar” nga plehrat, teksa personat që ekspozuan këtë skandal kanë qenë vetë turistët. Këta të fundit hidhnin foto të pirgjeve me plehra, ndërsa Gurma as e vinte “ujin në zjarr”.
Por, zgjedhjet e fundit lokale kanë sjellë largimin e tij, teksa PS-ja nuk e rikandidoi, por ia besoi drejtimin e qytetit në skajin më jugor të bregdetit shqiptar biznesmenit Oltian Çaçi. Por, ky i fundit do të ketë në tryezën e tij kur të shkojë në atë bashki, dokumentet e firmosura të tenderit të pastrimit.
Dokumenti i mësipërm është njoftimi i fituesit të tenderit të pastrimit. Sipas dokumenteve që disponon Gazeta Jonë,Bashkia e Sarandës ka firmosur fituesin e tenderit me objekt “pastrimi dhe largimi i mbetjeve urbane” me një fond limit 131.855.000 lekë, ose me TVSH shuma shkon në plot 1.3 milionë euro.
Firma fituese, “ALKO IMPEX” ofroi 129.808.930 lekë pa TVSH. Një ofertë shumë afër fondit limit. Në tender kanë marrë pjesë edhe firma të tjera, me fonde të përafërta, ndërkohë që disa prej tyre ofruan “0 lekë”. Një skemë për të larguar të tjerat dhe për t’ia dhënë tenderin firmës së nipit të ish-deputetit Sadri Abazi. Oferta më e ulët ka qenë e firmës “Pastrime Silvio” me një ofertë prej 128.446.018 lekë pa TVSH. Një shumë 18 milionë lëkë më pak sesa oferta e firmës fituese. Normalisht, në një procedurë normale fituesi duhet të ishte oferta më e ulët, por në këtë rast, në ikje të Gurmës, fituesi është oferta më e lartë, ajo që është shumë afër fondit limit.
Duket se kjo vendimmarrje është “Kap Ç’të Kapësh”, një togfjalësh i artikuluar shumë herë nga kryeministri Edi Rama. Por, që në fakt, e zbatojnë të gjithë ata poshtë tij, të cilët me këto KÇK-ra mbajnë veten, familjen, miqtë apo edhe shokët e partisë.