Sanija Ameti është “ylli i momentit” i politikës në Zvicër.

Ajo është zvicerane, por e lindur në atë që njihej si ish-Jugosllavi. Disa media kanë shkruar për të se vjen nga një familje shqiptare e Kosovës, por në një intervistë për Albanian Post, Ameti, tregon se shqiptare nuk është, porse familjarë ka në Kosovë dhe e viziton sa herë që mundet.

Ajo rrjedh nga një familje boshnjake që në vitin 1995 kishin ikur nga lufta në Bosnje.

“Kosova është një vend shumë i rëndësishëm për mua”, thotë ajo për AP, “sepse aty jetojnë disa anëtarë të familjes dhe i vizitoj sa herë që mundem”.

Ameti tregon se i pëlqen shumë Kosova, veçanërisht “jam e dashuruar me komunitetin e artistëve të rinj në Kosovë”.

“Njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, kultura dhe arti janë mjete shumë të rëndësishme për të treguar atë se çka ndodhi si dhe për të promovuar drejtësinë dhe paqen”, shprehet ajo.

Aktualisht Sanija Ameti në Zvicër është e njohur si njëra ndër politikanët që lufton më së shumti kundër ligjit të terrorizmit, madje ajo është kryetare e komisionit të referendumit që e solli në votim këtë ligj.

Këtë referendum që bëri bujë të madhe në Zvicër dhe e katapultoi Ametin në skenën politike, ajo e kishte shkruar në tren rrugës për në Itali.

Ligji i pranuar nga pushteti zviceran e motivoi Ametin të vazhdojë me politikë.

Fushata e saj më së shumti u kishte bërë përshtypje udhëheqësve të lëvizjes politike “Operacioni Libero”, për këtë arsyeje bordi i drejtorëve e emëroi atë si bashkëpresidente të re.

Tani, lufta më e madhe e Ametit në Zvicër është përfshirja më e mirë dhe më përmbajtjesore e emigrantëve në procesin demokratik dhe ekonomik.

Nga viti 2019 ajo është anëtare e bordit ekzekutiv të Partisë Liberale të Gjelbër të Rinj në Zvicër dhe që nga viti 2020 anëtare e kryesisë së Partisë Liberale të Gjelbër të Kantonit të Cyrihut.

Ahmeti në Kosovë u bë më e njohur kur disa media zvicerane të krahut të djathë filluan ta sulmojnë atë dhe angazhimin e saj në politik.

Por, ajo thotë se “aq i bën”, derisa vazhdon betejat e radhës në politikë, fushë që deklaron se i pëlqen shumë.

Cila është lidhja juaj me Kosovën?

Edhe pse nuk jam me origjinë shqiptare, Kosova është një vend shumë i rëndësishëm për mua. Sepse aty jetojnë disa anëtarë të familjes dhe i vizitoj sa herë që mundem. Unë jam e dashuruar veçanërisht me komunitetin e artistëve të rinj në Kosovë kjo pasi njëzet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, kultura dhe arti janë mjete shumë të rëndësishme për të treguar atë se çka ndodhi si dhe për të promuvuar drejtësinë dhe paqen. Prandaj artistët në Kosovë kanë admirimin tim më të madh për këtë punë të rëndësishme. Më pëlqen të vizitoj Prishtinën për artin e saj, mirëpo edhe në Zvicër jam e lidhur me diasporën në fusha të ndryshme: art, biznes, politikë.