Gjykata e Vlorës la në qeli pa afat kandidatin për Bashkinë e Himarës nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, i cili u vu në pranga mesnatën e të premtes, i akuzuar se është përfshirë në korrupsion zgjedhor.
Po ashtu gjykata vendosi të dërgojë dosjen e tij në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si prokuroria kompetente për hetimin e korrupsionit në zgjedhje.
Arrestimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i propozuar nga partia e minoritetit të PBDNJ-së së Vangjel Dules, ka ngritur pikëpyetje të shumta nëse do të zgjidhet çfarë do të ndodhë me të.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shprehet se pavarësisht arrestimit të tij, Fredi Beleri do të jetë në fletën e votimit më 14 maj.
Celibashi ka theksuar se gjërat do të ndryshojnë vetëm nëse Beleri do të dënohet me vendim të formës së prerë.
“Arrestimi i Belerit nuk është aspak një gjë që shkon për mirë. Nuk kam koment pasi kjo lidhet me organet e drejtësisë, por nga pikëpamjet e ligjit ai mbetet kandidat dhe votuesit mund ta votojnë nëse duan. Ai nuk është i ndaluar nga gara edhe pse nuk është fizikisht aty. Gjërat ndryshojnë vetëm nëse ai dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejohet të kandidosh nga ligji i dekriminalizimi”, tha ai.
Ligji ndalon mbajtjen e kësaj detyre, nëse për disa vepra penale është dënuar me vendim gjykate të prerë.
“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në këtë ligj ku përfshihen edhe veprat penale.
Beleri akuzohet për korrupsion në zgjedhje për nenet 328 të Kodit Penal.
“Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë”, thuhet në këtë nen të Kodit Penal.
Pra nëse Beleri zgjidhet do të detyrohet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë një vendim, nëse do të ketë një vendim gjykate së formës së prerë.