Një 29-vjeçar shqiptar ka mbetur i vrarë në Spanjë pas një sherri banal për 5 euro. Lajmin e bëjnë të ditur mediat spanjolle, sipas të cilave, i riu është gjetur në një zonë të pyllëzuar, ndërsa shtojnë se, shkak për vdekjen e tij është bërë trafiku i lëndëve narkotike.

Raportohet se ngjarja ka ndodhur në një plantacion marijuane, ndërsa kërkimet për të riun kanë nisur pas denoncimit të një të afërmi për zhdukjen e tij. Pas disa orëve kërkime intensive, trupi i të riut u gjet në një zonë të pyllëzuar.

Policia spanjolle ka zbuluar se i riu është dhunuar barbarisht, pasi në trupin e tij janë gjetur plagë, të cilat i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Lidhur me ngjarjen është arrestuar një 52-vjeçar spanjoll pasi ai e akuzonte të riun se i kishte vjedhur pesë euro.

Pas sherrit mes tyre, dyshohet se 52-vjeçari e ka goditur shqiptarin me çekiç në kokë, duke i shkaktuar vdekjen dhe trupin më pas e la në pyll.