Fredi Beleri, në burg për blerje votash, u shpall fitues në bashkinë e Himarës me një rezultat shumë të ngushtë kundrejt kandidatit socialist Jorgo Goro.

Koalicioni i ‘Bashkë Fitojmë’ ka fituar me pak vota para, ndërsa kutia e fundit vendosi fatin e fituesit. Kryetari i komisionit u shpreh se diferenca mes Belerit dhe Goros ishte 19 vota.

Ndërkohë, në këtë KZAZ ishte prezent dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili pas rezultatit pozitiv, u përqafua me mbështetësit e tij.

Gara në këtë bashki luhej jashtë kufijve të Shqipërisë,  kjo vërehej sa votues do të vinin nga Greqia. Vetëm tre ditë para votimeve Fredi Beleri u arrestua në flagrancë, për blerje votash.

Mediat raportuan se nga pikat kufitare me Greqinë kanë ardhur afro 3 mijë votues pro Belerit. Duket se Athina zyrtare ka qenë vendimtare në rezultatin përfundimtar.

Gjykata e Vlorës vendosi të shtunën ta cilësojë të ligjshëm arrestimin e Alfred Belerit, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, i akuzuar nga prokuroria për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Gjykatësja Dorina Stroka caktoi për Belerin masën e sigurisë arrest në burg dhe transferoi çështjen për kompetencë në SPAK.

Ministria e Jashtme greke bëri një reagim sipas të cilit me këtë vendim Shqipëria “praktikisht nuk po ndiqte rrugën drejt Bashkimit Europian”. Në të njëjtën mënyrë reaguan kryeministri grek dhe ministri i jashtëm.

Por çfarë do ndodh me mandatin e Fredi Belerit në rast se gjykata e dënon me burg kryebashkiakun e ri të Himarës Fredi Belerin. Avokati Idajet Beqiri tha për VoxNews se dy janë opsionet në lidhje me fatin e mandatit të Fredi Belerit.

1- PS duhet të bëjë ankesë në KQZ, që kandidati akuzohet për blerje votash dhe të përsëriten zgjedhjet.

2- Në rast se do kemi vendim të formës së prerë nga gjykata e cila dënon me burg, Fredi Belerin atëherë është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ai që ja heq mandatin.

Eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume, u shpreh se Beleri e humbet mandatin nëse dënohet për blerje votash. Sipas Kumes, Fredi Beleri mund të firmos edhe nga paraburgimi për marrjen e mandatit.