Anila Hoxha
Jacob Dickson, është një 31 vjecar nga Teksasi, i cili prej gjashtë vitesh jeton në Shqipëri. Së fundmi, shtetasi amerikan, që thotë se ushtron aktivitetin në kriptovalutë pa lojra të paligjshme sipas tij, me kërkesë të SPAK ka përfunduar nën arrest shtëpiak.
Si një i dyshuar për llogari të një procedimi që e nxorri në skenë gjatë arrestimeve të një rrjeti që siguronte udhëtime të shqiptarëve drejt SHBA dhe Anglisë, i dyshuari amerikan paraqiti një kërkesë që në përmbajtje të shtyn të mendosh.
Kërkoi që masa e sigurisë arrest në shtëpi, ku jetonte më parë me qera, gjykata antikorrupsion tja shfuqizonte duke i aprovuar një tjetër masë po arrest shtëpiak në një adresë të re. Sepse pronari i banesës ku pat jetuar, i shqetësuar nga kontrollet e SPAK – i kish shprehur alarmin, “më solle SPAK-un në derë, nuk e dua këtu SPAK”! Dhe kështu i dyshuari nën arrest shtëpiak mbeti pa shtëpi, mu në mes të Tiranës.
Natyrisht që gjykata antikorrupsion ia aprovoi banesën gjetur prej tij me urgjencë përmes platformave online . Dhe amerikani Jacob përfshirë nën hetim për prodhim dhe shitje narkotikësh është vecse një version i fragmentarizuar për të kuptuar, se aktualisht frika nga një institucion është më masive se frika që cdokush duhet të ketë vetëm nga ligji.
Megjithëse deri tani është frymë për tu duartrokitur , që shumë nëpunës të nivelit zbatues po refuzojnë firmosjen kuturu të tenderave, cka të bën të mendosh se efekti i frikës nga SPAK, mbase-mbase po sjell efektin e frikës dhe respektit ndaj ligjit. Megjithatë, disa teprime janë të dukshme.
Provo të thuash ,testo njëherë të deklarosh se ky aspekt i SPAK kërcet, se hetimet zvarriten, se dekonspirimi i cështjeve nuk është problem dhe defekt vetëm i policisë por edhe i kësaj Strukture.
Po i afrohemi një pike që shfaqja e një qëndrimi kritik, ndryshe, jo heroik ndaj SPAK konsiderohet tabu. Deri aty sa interpretohesh si armiku, përmes një grupi propogandistësh shumë të dallueshëm me fraza shabllon dhe qesharake “është vetë kreu i SPAK në aksion, e hetoi vetë drejtuesi i SPAK cështjen, faji është atje e këtje ….“. Kjo është më e pakta që transmetojnë, megjithëse kjo është forma më e shëmtuar e PR të një institucioni.
Harrohet që struktura e posacme SPAK ka aktualisht njerëzit më të paguar, njerëzit më të mbrojtur, njerëzit me fuqi të kudoshme me akses nga presidenti, kryeministri e deri tek ai qytetari që dridhet në shtëpi se mos ja beh SPAKU në derë. Nuk i shkon një institucioni roli “i viktimizimit” kur mbështetja nuk i ka munguar dhe nuk i mungon. As apelet partizance “të lejohemi të bëjnë punën tonë” kur këtë mandat ua jep ligji.
Po cilat janë disa nga problemet e SPAK?
E para, prokuroria prej të cilës kemi pritshmëri, prokuroria më e mbështetur nga ndërkombëtarët dhe gjerësisht nga publiku, ka probleme të rënda me transparencën dhe komunikimin. Dhe këtu nuk flas vetëm për sekretin hetimor, por edhe rrjedhjen e versioneve të qëllimshme për të shkaktuar nënshtrim nga vetë SPAK. Kjo bëhet duke shkelur syrin me nënkuptime e hipoteza, duke baltosur në rast se nuk bën fresk apo ke një mendim tëndin kritik, apo për cfarëdolloj arsyeje tjetër që nuk është hetim, por një metodikë e vjetër e hetuesisë së para ’90.
Në thelb duhet kuptuar se duke mbjellur këtë frymë , që passjell frikë për të folur për SPAK-un e pagabueshëm, që i adreson ngahera gabimet gjetkë, nuk është dëmtuar vetëm liria e qytetarit për të shpresuar dhe besuar në ligj. Por edhe institucioni, që rrezikon të shkatërrohet nga vetvetja nëse kthehet nga një institucion në kërkim të provave, në një instrument në gjurmim- shpërndarje të llafeve që duhen bërë prova, se kështu duhet që të mos i zërë gjumi njerëzit.
Kjo strategji duke bërë zhurmë dhe estradë me cështjet, duke hedhur në treg tullumbace me emra që iu vijnë vërdallë e duke i trajtuar qytetarët me zero të drejta, është më e gabuara.
2. Raportimi
SPAK vec mbifuqisë ka detyrim të raportojë dhe jo vetëm përpara parlamentit dhe KLP. Por përmes zyrës së shtypit, ëebsitit, të kuptojmë se kjo prokurori nuk është një cekan, por një institucion në dobi të qëllimeve përse u ngrit.
Cfarë ndodhi me vetingun e brendshëm të administratës?
Përse ka ngecur cështja e prokurorëve pretendentë të votuar nga KLP si prokurorët e ardhshëm?
Cfarë po ndodh me tenderat që publikohen dhe pastaj anullohen?
Cfarë ndodh me ekspertët e thirrur nga SPAK?
Cilat janë cështjet që pushohen? Që mosfillohen?
Përse ka një numër të lartë dosjesh për të cilat shpallet moskompetenca?
Përse priten referime vetëm nga institucionet dhe media investigative dhe prokurorët rrinë duarkryq duke mos hapur cështje kryesisht e të tjera?
Për shëmbull prej dy ditësh, lexoj dosjen e abuzimit tek Onkologjiku dhe mendoj – a ishte ky një rast për të cilin SPAK duhet të shpallte moskompetencën ( dosja e kontrabandimit te ilaceve 2023) dhe te mos hetonte ne qelizë.
Rast me të mirë për të kuptuar gjyqësisht se cfare ndodh ne spitale, tenderat atje, ministrinë e paprekshme të shëndetesisë nuk kishte. Koha vlen dhe institucioni i hapur ne 2019, ngjan se ka trashëguar nje sëmundje te vjetër , atë te copëzimit të dosjeve dhe kthimit të tyre ne seriale për shoë.
3. Marrëdhënia me të vetët dhe gjykatën
SPAK është i përcarë dhe gjej këtu me vend të kujtoj situatën gjatë aktivitetit me Antimafian italiane, me një SPAK të atëhershëm që nuk denjoi ta kishte në krah Byronë Kombëtare të Hetimit. Jo, nuk ka njerëz me mbifuqi. Sado përkushtim dhe zotim të kesh. Në hetime punohet në grup dhe fryma e ekipit nuk është e konsoliduar aq sa të pranohet këndvështrimi ndryshe. Dhe si kudo edhe në SPAK, servili rreth tij ka fuqinë.
Njëherazi, SPAK duhet të heqë dorë nga gjetja e armiqve të brendshëm apo nga ata që janë mbështetës, por jo kor. Përfshi këtu edhe mëria foshnjarake që mbahet ndonjëherë me gjykatën antikorrupsion. Nëse ka të tillë si ata që dalin tek dosja “Metamorfoza”, ska nevojë për skema por për reagim ligjor.
Pavarësisht se ajo që vendos standartin në fund të hetimit është gjykata. Dhe gjykata disa herë ka treguar se hetimet e tejzgjatura sjellin lirimin e të akuzuarit. Kjo është një minus. Se kontrollet e sekuestrimet pa leje , janë abuzive. Sërish një minus.
Se provat janë shtylla që mbajnë një dosje, për t’a ndarë cështjen nga një fabul e bukur për filma me aksion, në një dosje të hetuar mirë, që finalizohet me përballje dinjitoze.