Frikë pasi u pikasën, a dotë firmosë Erinda Fino tenderin që iu dha me marifet kompanisë ROGAT Security ?
Gjërat kanë filluar të lëvizin sa i përket tenderit skandaloz të organizuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, në të cilit u shpall fitues përmes marifeteve kompania ROGAT Security.
Burime për Gazeta Jonë bëjnë me dije se drejtoresha Erinda Fino është në mëdyshje për të vënë apo jo firmën mbi kontratën me kompaninë në fjalë pasi skandali doli në media. Ajo këto ditë lë edhe detyrën në krye të APR.
Kompania ROGAT u shpall fituese, por duhet tashmë që të firmoset kontrata, gjë që ka mbetur pezull pasi marifeti u zbulua dhe u publikua nga Gazeta Jonë.
Përse bëhet fjalë?
Gazeta Jonë solli si shembull të abuzimit me tenderët dhe krijimin e skemave se gjoja ka konkurrencë, prokurimin e organizuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit me Nr.Reference REF-76891-08-07-2023 dhe fond limit 10 020 834 lekë.
Pra, rreth 100 milionë lekë.
Tenderi është fituar nga kompania RO.GAT Security në pronësi të biznesmenit Begator Mane dhe nën administrimin e Marsel Manes.
Por, ku qendronte “kleçka”?
Në dukje tenderi është tërësisht korrekt edhe pse kompania RO.GAT Security ka fituar me një vlerë 9 723 600 lekë, e cila është shumë pranë fondit limit. Praktikisht, kompania RO.GAT Security ka fituar tenderin duke dhënë 97% të fondit limit, madje duke patur edhe tre ofertues të tjerë!
Në vetvete, fitimi i tenderëve me mbi 90% të fondit limit konsiderohet tepër i dyshimtë sa i përket garës reale në to, por problemi më i madh në këtë tender është se tre ofertuesit e tjerë kanë marrë pjesë në tendër por nuk kanë dorëzuar asnjë DOKUMENT që të vërtetojnë se janë të aftë ta përmbushin detyrimin e marrë përsipër!
Praktikisht, kompanitë pjesëmarrëse në tender “VOJVODA” shpk; “TREZHNJEVA” shpk dhe “LEKA” shpk duket se kanë marrë pjesë në mënyrë fiktive në tender për të përmbushur detyrimin e garës, pasi nuk kanë ofruar asnjë dokument për të mbështetur ofertën e tyre.
Në këtë mënyrë, ato i kanë hapur rrugën kompanisë RO.GAT Security që të fitojë tenderin praktikisht pa farë në mes. Një fakt i tillë është krejtësisht i dukshëm pasi të treja kompanitë marrin pjesë në tenderë të tjerë dhe operojnë normalisht, dhe nuk ka asnjë arsye që të mos dorëzojnë dokumentet bazike të pjesëmarrjes në tendër pikërisht në tenderin që duket se ishte projektuar ta fitonte RO.GAT Security.
Këto janë praktika të dënueshme dhe të ndaluara me ligj në Shqipëri, por duket se prokurorët janë ende me pushime.
Referua të dhënave nga thesari dhe APP, Rogat Security duket të jetë kompania e “preferuar” e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Tiranë, tenderë për të cilët do të raportojmë hollësisht në vijim./Gazeta Jonë