Situata në Kuvend pritet që të kthehet në normalitet, ndërsa bisedimet mes palëve do të zhvillohen në nivel kryetarësh të grupeve parlamentare të PS dhe PD.
Gjatë ditës së sotme në orën 13.30, pritet të ketë një takim mes Gazment Bardhit, Bledi Çuçit, dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla, në mbledhjen e konferencës së Lryetarëve. Në këtë mbledhje pritet që të diskutohet mbi axhendën në Kuvend, ku do të reflektohen kërkesat e grupit të Rithemelimit, përfshirë atë për ngritjen e grupeve parlamentare, si dhe zëvendësimin e bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë, raportohet se Partia Socialiste ka rënë dakort për ngritjen e 2 komisioneve hetimore parlamentare, megjithatë mbetet për t’u konfirmuar të martën.
Nisjen e këtyre negociatave e ka përshëndetur dhe ambasadori i Bashkimit Europain në vendin tonë, Silvio Gonzato.
“E kam thënë dhe disa kohë më parë kur u pyeta pikërisht për këtë çështje. Megjithatë unë përdora fjalët që ne kishim thënë më parë dhe këto fjalë janë që ne dëshirojmë që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv. Duhet gjithashtu të reflektojë realitetin politik në vend. Unë e di që ka disa përpjekje që po bëhen në parlament, pikërisht për të arritur disa reforma në vend. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ka bërë të qartë që këto janë çështje të cilat ne besojmë do të zgjidhen së shpejti”, u shpreh Gonzato nga një takim që kishte në qytetin e Durrësit.
Ndërkohë i dërguari me punë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë David Wisner ka zhvilluar pak minuta më parë një takim me Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla. Në fokus ishte dhe zgjidhja e krizës parlamentare.