Gazetari Artan Hoxha tha se dyshohet se Dritan (Gramoz) Rexhepi ka qenë në Shqipëri rreth 3 muaj më parë.
Hoxha tha se dyshohet se ai ka qëndruar në zonën e Durrësit, duke shtuar se atje po e kërkonin agjensisë ligjzbatuese.
Në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se gjithashtu ka dyshime se ai ka lidhje me një vrasje në Vlorë, ndërsa cilësoi si ngjarjen më të rëndë përfshirjen në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Duke rrëfyer detaje lidhur me personazhin e arrestuar tashmë në Turqi, Hoxha tha se Rexhepi i ka deklaruar vëllezërve të Jan Prengës se do të hynte në negociata me ata që e kishin rrëmbyer vëllain e tyre nëse kthehej sasia e drogës që kishte humbur.
“Madje të afërmve të Jan Prengës iu tha dilni te Ura në Kashar dhe prisni pengun, kanë ndenjur gjithë natën atje dhe pritën kot se Jan Prenga ishte vrarë”, tha Hoxha.
Ai u shpreh se ka të tjerë shqiptarë që kanë lëvizur sasi më të mëdha droge se Dritan rexhepi, por ai kishte lidhjet më të forta.
“Shkoi në Turqi për të bërë atë që bënte nga Amerika Latine, donte të ringrinte të njëjtën strukturë si ajo që vepronte në Amerikën Latine, por që ishte më afër Shqipërisë”, tha Hoxha. Ai shtoi se Rexhepi kërkohet jo vetëm nga Shqipëria dhe Italia, por edhe nga Britania e Madhe, Spanja, Holanda, ndërkohë që ai vetë mund të zgjedhë Shqipërinë për tu ekstraduar, në vend të çdo shteti tjetër.