Gazetari Isa Myzyraj ka ngritur shqetësimin për dy heshtje të mëdha që po shoqërojnë ngjarjen e rëndë të policit Azbi Spahiu, i cili u vetëhodh nga një pallat në rrethana ende të paqarta pas përfshirjes në hetimin e ndalimit të djalit të biznesmenit Samir Mane.
E para, sipas Myzyrajt, është heshtja e institucioneve. Ai vë në dukje se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të kishte dalë urgjentisht për të sqaruar publikun lidhur me këtë rast, përfshirë hetimet mbi veprimet e policit, djalit të biznesmenit dhe të gjitha rrethanat hetimore deri tani.
E dyta është heshtja e opozitës, konkretisht Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Sipas gazetarit, opozita ka dështuar të ushtrojë presion mbi institucionet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të treguar qëndrueshmëri në mbrojtjen e shtetit të së drejtës.
Myzyraj thekson se kjo ngjarje ka nxjerrë në pah goditjen që ka marrë shteti ligjor dhe ka treguar fuqinë e madhe të oligarkëve në Shqipëri. “Oligarkët nuk janë një mit,” shkruan ai, “ata janë këtu, më të fortë se vetë shteti.” /gazetajone
*Titulli eshte i redaksise