Policia ka kryer 28 kontrolle banesash në Pogradec, duke angazhuar forca të shumta RENEA, FNSH dhe efektivë të tjerë, por rezultati i këtij operacioni mbetet i diskutueshëm.
Gazetari Flamur Vezaj ka reaguar ashpër ndaj këtij aksioni, duke e cilësuar si një “sukses madhështor” me rezultate të dyshimta. Sipas tij, nga kontrollet rezultuan vetëm 6 të arrestuar, të cilët akuzohen për posedim armësh gjuetie, cigare hashashi apo vendosje skedinash pa leje.
“A e quajnë këtë një operacion të suksesshëm? Nuk justifikohet as karburanti i harxhuar, e lëre më dietat e policëve,” shkruan Vezaj, duke ngritur pyetjen nëse ka pasur dekonspirim gjatë operacionit. Ai ironizon përdorimin e fjalës “dekonspirim”, duke theksuar se “është një term i huaj për ta”.
Gazetari gjithashtu kthen vëmendjen tek raste të tjera të bujshme, si ai i djalit të biznesmenit Mane, duke akuzuar institucionet për mbyllje të shpejtë të dosjes. “Po rasti i tij, mos ç’ndodhi? Apo u fut tek dosjet ‘VIP’ dhe u mbyll pa zhurmë? E polici i shkretë që dyshohet se u bë viktimë në këtë histori, ku ç’përfundoi?” pyet ai.
Ndërkohë, Vezaj nuk lë pa përmendur edhe “shurdhërimin” e institucioneve lidhur me vendimin për investitorin strategjik në ishullin e Sazanit dhe çështjen e banesës së pretenduar sekrete të çiftit Veliaj. Ai thekson mungesën e transparencës nga autoritetet dhe heshtjen totale për këto tema të ndjeshme.
“Hajde shtet, hajde!”, e mbyll ai postimin e tij, duke shprehur zhgënjimin me institucionet dhe veprimet e tyre./gazetajone