Hapja e dosjesve, ish sigurimsat vijojnë te jënë tema diskutimi.
Gazetari Agim Xhafka, ka ndare në rrjete sociale një bisedë mes dy ish sigurimsash se si i etiketonin fëmijët e përdhunimit.
“Ka vite që të dy e pinë kafen te lokali poshtë shtëpisë. Nesti me Gaqon kanë qënë sigurimsa.
U fshehën ca vite,por më pas dolën nga strofulla dhe rrinë me sytë nga rruga. Marrin pension si ushtarakë e përgojojnë këdo që kalon në rrugë. Bëjnë atë punë që kanë bërë nëpër vite e vite. E më së shumti dëgjoj në bisedat e tyre fjalët “kopili im,kopili yt”.
-Është bërë me dy çuna kopili im!-i thoshte Gaqo Nestit.
-Kopili i Korçës,i Beratit apo ai i Matit?
-I Korçës,i Korçës.Ai i Beratit ka tre goca,ndërsa kopili i Matit ngeli beqar.
-Unë kam pesë kopilë në Tiranë.Të rehatuar të pestë.Ai më i madhi bën ndërtime.E ka kapur veten. Milionier,për zotin milionier”, shkruan Xhafka.
Gazetari e vijon më tej rrëfimin dhe duke zbërgyer bisedën e tyre.
“U çudita mes këtyre fjalëve,kopili im,kopili yt.Doja t’i pyesja,por nga që ndjej neveri për njerëz si ata heshta.Kur dola më sqaroi Golja,banakieri.
-Kanë vite që u ka ngel në gojë fjala kopil. Kanë qënë hetues nëpër Shqipëri e kanë përdhunuar plot vajza e gra. Më pas disa janë bërë me fëmijë e këta nuk guxojnë të quhen baballarët e tyre,siç nuk mendojnë t’i quajnë djem apo goca lindur nga kafshëria e njerëzve pa skrupuj. Ende i përbuzin dhe argëtohen me dhimbjen e viktimave.I quajnë kopila,bëjnë edhe sot luftë klasash.
Ndjeva dhimbje për ato mote dhe neveri për këto dy mortje.
Ndërsa po dilja në tv lexova titrat:”Kuvendi me 94 vota miratoi Ligjin për Hapjen e Dosjeve të Bashkëpunëtorëve të Sigurimit”. Qesha me hidhësi.Për sigurimsat ky shtet ka siguruar pensione të mira,dinjitoze.
-Kopila të vërtetë në kuptimin përbuzës të fjalës janë ata dy kafshët atje,-i thashë Goles dhe me gisht tregova Nestin e Gaqon. Dhe e përplasa fort derën.Sikur doja të burgosja xhelatët që marrin pension dhe rrinë në kafe duke përgojuar shqiptarët”, shkruan më tej Xhafka.