I ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, CEO i ‘Acromax’ foli për një temë shumë të përfolur të showbiz-it tonë, klikimet e blera. Aldor Nini përmendi disa emrat si Ledri Vula, Alban Ramosaj e Ardit Çuni.

“Personi pasi pa lajmin më tha që ‘çfarë të duhet ty që fut hundet’. Është Ardit Çuni. I thashë Arditit mua mu deshën gati 10 sekonda të gjeja Shqipërinë, aq poshtë ishte. 668 klikime ka vetëm nga Shqipëria, 37 mijë klikime nga India. Alban Ramosaj, kam shumë respekt për të, por kënga ‘A je me najkon’ ka vetëm 13 mijë shikime nga Shqipëria.  Një nga artistët që nuk ka aspak nevojë të blejë klikime por ka dalë në sistemin tonë është Ledri Vula, kishte blerë klikime te kënga ‘Monaco’.”, tha Nini.

Pas kësaj deklarate, Top Albania Radio kontaktoi personalisht me Ardit Çunin, i cili nuk ngurroi të jepte kundërpërgjigjen e tij.

“Do ju lutesha që për arsye profesionale mos t’i jepni zë kësaj gjëje, sepse është komplet një idiotësi. Personi në fjalë po mundohet që të bëjë marketing me anë të emisioneve dhe të lajmeve që do të shkaktohen me emrin tim apo të kujtdo tjetër sepse e di shumë mirë që ndryshe nuk ia var njeri dhe përveç kësaj di vetëm që më janë lutur disa herë që të bashkëpunoj me kompaninë e tyre dhe nuk kam pranuar. Kjo është një nga arsyet pse goditem unë apo artistët në fjalë që janë përmendur. Nuk më bën sens”, tha Arditi.

Një reagim ka ardhur edhe nga Alban Ramosaj.

“Për sa kohë jam lajm, faleminderit”, shkruan Albani.