Një javë më parë Tirana zyrtare nisi drejt Londrës dosjen me provat duke kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e organizatorit dhe bashkëpunëtorëve në vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin në datë 19 Prill.

Organizatori Edmond Hoxha dhe tre nga bashkëpunëtorët u arrestuan në Angli.

Në kërkim janë ekzekutori portugez dhe një tjetër britanik, që kishte rolin e spiunimit të lëvizjeve të biznesmenit teksa po e ndiqte, informator.

Por a do të ekstradohen të arrestuarit? Vendimi do të merret ditën e premte nga gjykata, por precedenti nuk është aspak i mirë.

Në vitin 2007 pas nisjes së sagës së gjakmarrjes mes fiseve Lekstakaj dhe Nikulajt, Londra refuzoi kërkesën e palës shqiptare për një ekstradim.

Bëhet fjalë për Pjetër Lekstakajn. Ai ishte  në kërkim në Shqipëri si autor i një vrasjeje në tentativë në vitin 2000.

Gjykatë e refuzoi kërkesën e Shqipërisë për të ekstraduar nga Anglia Pjetër Lekstakaj me arsyetimin e gjendjes shëndetësore.

Konflikti mes fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj nisi në vitin 1997 ku mbeti i vrarë i pari vëllai i Ardian Nikulajt, Ismaili dhe që deri tani bilanci është 5 të vrarë.